Shqipëria

“Kastrati Group” blen zyrtarisht Aeroportin e Rinasit


Grupi aksioner më i madh në vend,“ Kastrati Group” zyrtarizon blerjen e koncesionit të aeroportit  të Rinasit.

Marrëveshja midis “Kastrati Group SH.A”   dhe “Real Fortress Private Limited ” u nënshkrua më 1 dhjetor dhe u rregjistrua  më 28 dhjetor në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Kastrati Group  në total do të paguajë 71 milionë Euro nëpërmjet dy kësteve. 

Fillimisht Kastrati  ka kryer një pagesë fillestare  për shpërblimin e aksioneve dhe për aktin e transferimit,  në shumën e 15 milionë Eurove. Më pas janë paguar 56 milionë Euro për të mbyllur marrëveshjen.

Kompania e shërbimeve financiare  me pronësi shtetërore, ”China Everbright Group”, përmes filialit të saj  “Real Fortress Private Limited”,  i bleu për 20 vite të drejtat koncensionare të Tirana International Airport (TIA)  në 2016-ën  tre  aksionerëve, për 82.25 milionë Euro.

Tre kompanitë aksionere që nënshkruan kontratën e koncesionit  me qeverinë shqiptare në vitin 2004 ishin “DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft”, “Albanian-American Enterprise Fund  dhe AviAlliance GmbH“.

Në vitin 2016, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje me shoqërinë koncesionare TIA, e cila më parë njihej  si “Tirana Airport Partners” duke hequr klauzolën e ekskluzivitetit  nga kontrata koncesionare e aeroportit të Rinasit.  

Nënshkrimi i  ndryshimit të marrëveshjes  për heqjen e ekskluzivitetit  i dha TIA-s dy vite shtesë,  duke shtyrë me dy vite afatin për përfundimin e kontratës.  Në shkëmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit kontrata u shty duke e çuar afatin e ri në vitin 2027. 

Në 2019-ën, aeroporti i Rinasit ishte  një nga  korporatat më  fitimprurëse në vend, me një normë fitimi që arrinte  deri në 50%. 

Duke bazuar në marrëveshjen e  Koncesionit, nëse do të vihet në funksion dhe aeroporti i i Vlorës,  tenderi i së cilës është shtyre disa herë, TIA mund ta shtyjë marëveshjen me dy vite e gjysëm  të tjera. Nuk dihet ende nëse  mund të ketë një shtyrje tjetër të afateve pas marrjes së koncesionit nga “Kastrati Group”. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore