Film

Kasti i filmit “Zgjoi” kërkon përkrahjen e shqiptarëve – të bëhemi pjesë e “Oscars 2022”


Yllka Gashi në filmin "Zgjoi"

Të enjten e 27 janarit, do të nis zyrtarisht, procesi i votimit të anëtarëve të jurisë për çmimet e Akademisë së Filmit, “Oscars 2022”.

Për të parën herë, Kosova është futur në listën e ngushtë të filmave pretendentë për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, me filmin “Zgjoi”.

Ndërkaq, regjisorja e filmit, Blerta Basholli bashkë me aktoren e rolit kryesor, Yllka Gashi e producentin, Ylli Uka, kanë nisur një kampanjë virtual promovimi të “Zgjoit” nëpër mediat sociale.

Ekipi organizativ i filmit kanë realizuarnjë baner me sloganin – “Kosova’s Official Entry for Oscars (Hyrja Zyrtare e Kosovës për Oscars)”, bashkangjitur më disa hashtagë – këta të fundit për shpërndarje sa më virale të postimit.

“Zgjoi”.

Gjithashtu, ata kanë bërë të ditur që me anë të këtij promovimi synojnë të ndikojnë në reklamacionin e arenës ndërkombëtare.

“Bazuar në një histori të vërtetë frymëzuese, ‘Hive (Zgjoi)’ tregon historinë e fuqizimit, qëndrueshmërisë dhe triumfit të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës në një situatë kur heqja dorë po troket në derën tuaj”, ka shkruar regjisorja e filmit Blerta Basholli në Facebook.

Ndërkohë, edhe aktorja Yllka Gashi, e cila në film paraqitet në rolin e Fahrijes, ka kërkuar nga ndjekësit  e saj “shpërndarje sa më të madhe të imazhit në mediat sociale”.

“Të dashur miq; Nesër fillon votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për Oscars 2022. Kosova për herë parë është në listën e ngushtë me gjasa reale për të siguruar një nominim”.

“Duke ju falenderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni bërë gjatë krejt kësaj kohe, ju lus që ta shpërndani sa më shumë fotografinë e filmit tonë në rrjete sociale”, ka shkruar Gashi.

Gjithsesi, lista e plotë e nominimeve të “Oscars 2022” do të njoftohet në mënyrë zyrtare më datën 8-të, të muajit shkurt.

Për detaje rreth filmit “Zgjoi”, inspirimit, historisë dhe triumfit të çmimeve nëpër kompeticione vendore e ndërkombëtare, ndiqeni intervistën e regjisores, Basholli dhe të producentit, Uka – dhënë për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore