Sport

Kasami dhe Zhegrova i japin fitoren Basel-it në Kazakistan


Skuadra e Basel-it u përballë me kazakët e Kairat Almanty-t në UEFA Conference League këtë të enjte. Golat e shqiptarëve, Pajtim Kasami dhe Edon Zhegrova i dhanë mundësinë skuadrës zvicerane të përmbyste rezultatin përballë vendasve në 3-2.

Ndeshja u luajt për llogari të javës së pestë dhe të parafundit të fazës së grupeve në Conference League. Dy skuadrat janë pjesë e Grupit H, së bashku me Qarabag-un dhe Omonia-n. Aktualisht me fitoren e arritur, Basel-i kryeson grupin.

Ndeshja ishte e balancuar, me të dy ekipet që kërkonin golin. Fillimisht do të ishin vendasit që do të shënonin në minutën e 23 me anë të ish-sulmuesit të Monaco-s dhe Besiktas-it, Vagner Love-t.

Ndeshja do të barazohej në minutën e 45. Sulmuesi i spikatur i Basel-it, Arthur Cabral, e dërgon topin në rrjetë pasi ekzekutoi saktë një 11 metërsh.

Goli i dytë i vendasve do të vinte në minutën e 56 nga Kamo Hovhannisyan-it. 13 minuta më vonë do të vinte dhe goli i barazimit. Ishte radha e Zhegrovës për ta dërguar topin në rrjetë. Tre minuta pas golit te Zhegrovës do të vinte goli i përmbysjes me autor Kasamin.

Basel-i mori tri pikë të rëndësishme dhe shkon në kuotën e 11 pikëve, në krye të grupit, duke u kualifikuar në raundin tjetër. Në vendin e dytë qëndron Qarabag-u me 10 pikë, Omonia në të tretin me dy pikë dhe në vendin e fundit është Kairat-i me një pikë.

Sfida mes Qarabag-u dhe Omonia-s do të zhvillohet nga ora 18:45. Azerët kanë mundësinë që në rast fitore të marrin vendin e parë nga Basel-i.

Në përballjen tjetër të orës 16:30 në Conference League, Flora Tallinn-it ka fituar me rezultatin minimal 1-0 përballë serbëve të Partizan-it.

Do të duhet të pritet sfida e gjashtë dhe e fundit në fazën e grupeve për të mësuar, nëse do të jetë Partizan-i, apo Flora që kalon më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore