Lajme

Karvan migrantësh nga Hondurasi drejt SHBA-së


Qindra qytetarë të Hondurasit janë nisur drejt kufirit me Guatemalën, në kërkim të kalimit drejt SHBA-së. Ata kërkojnë të evitojnë impaktin e pandemisë dhe katastrofave natyrore në vendin e tyre.

Ky grup, është karvani i dytë më i madh i migrantëve që niset nga Hondurasi këtë vit. Një përmbytje e madhe për shkak të uraganeve Eta dhe Iota goditi shtetin e Amerikës Qendrore në nëntor.

Prej kësaj periudhe, është shtuar së shumti fluksi i popullsisë migratore në rajon. Meksika është rruga e vetme drejt SHBA-së për ta. Mijëra njerëz janë paraqitur në kufi deri tani, duke vënë nën trysni administratën amerikane.

Në këtë karavan ka kryesisht njerëz të rinj. Ata janë nisur me çanta shpine dhe me fëmijët e tyre në krah drejt një shprese të re.

“Duhet të marrësh përsipër risqe për një jetë më të mirë në SHBA”, thotë Carlos Flores, një prej tyre. “Në Honduras nuk na ka mbetur asgjë. Nuk na del as për bukën e gojës me aq sa fitojmë, nëse arrin të gjesh punë”.

Migrimi i popullsive amerikano-latine ka qenë problem i kahershëm i SHBA-së. Ish-presidenti, Donald Trump, erdhi në pushtet me propagandën se do të ngrinte një mur në kufi me Meksikën dhe do të përzinte emigrantët e paligjshëm.

Gjithsesi, nën administratën Biden, tonet ndaj emigrantëve janë zbutur. Kjo, nuk e mënjanon faktin se situata mbetet problematike për të përballuar këtë fluks. Mbi të gjitha, nën kushtet e pandemisë së Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore