Pajisje

Karikuesi inteligjent i Xiaom-it


Xiaomi, kompani kineze e elektronikës, ka nxjerrë një sistem karikimi pa tela të quajtur “Mi Air Charge Technology” i cili është në gjendje të karikojë pajisjet elektronike në një largësi prej disa metrash.

Sipas kompanisë, karikuesi mund të karikojë deri në 5W pajisje të shumëfishta në të njëjtën kohë dhe pa ulur efikasitetin e karikimit prej pengesave fizike.

The Verge, faqe dedikuar të rejave teknologjike, zbulon se synimi i kompanisë Xiaomi me nxjerrjen e karikuesit inteligjent është mundësimi i dhomave të ndenjes pa tela ku altoparlantët, llampat dhe pajisjet e tjera shtëpiake të mundësohen nga i njëjti sistem i largët i karikimit.

Megjithatë, një përfaqësues i kompanisë elektronike ka konfirmuar për The Verge se këtë vit nuk pritet që teknologjia e re të implementohet te të gjitha pajisjet në dispozicion dhe gjithashtu, nuk ka dhënë informacione lidhur me afatin kohor të nxjerrjes së tyre në treg.

Sipas Xiaomi-t, teknologjia e karikimit në distancë ka të bëj me pozicionimin e hapësirës dhe transmetimin e energjisë. Pajisja ka në përbërje 5 antena të integruara të cilat zbulojnë me saktësi vendndodhjen e smartphone-it. Ndërsa një grup tjetër i antenave të kontrollit i përbërë nga 114 të tilla, realizon transmetimin e valëve me gjerësi milimetrike drejtpërdrejtë në telefon përmes formësimit të rrezeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore