Kapja e Faton Hajrizit, çështje orësh apo ditësh, thotë Sveçla
Valon Rashiti
08.07.2024 18:19Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kapja e Faton Hajrizit i cili është arratisur nga burgu i Smrekovnicës së Vushtrrisë, “është çështje orësh apo ditësh”.
“Unë nuk jam shumë i brengosur, por duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh që do të arrestohet”, tha Sveçla para gazetarëve.
“Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive”, shtoi.
Ndryshe, Hajrizi ishte duke e vuajtur dënimin prej 27 vjetëve pasi kishte vrarë një ushtar rus, por të shtunën kishte arritur të arratiset dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Mediat në Prishtinë raportuan se Hajrizi dyshohet se u arratis gjatë periudhës kohore nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 07:00.
Ai arriti që fillimisht t’i shfrytëzojë çarçafët e shtratit të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur.
Hajrizi kishte arritur që të largohet nga dhoma e burgut përmes dritares në katin e dytë dhe kështu ia doli të depërtojë në katin e parë.
Nga aty, Hajrizi e kaloi rrethojën e jashtme të burgut dhe u arratis për herën e nëntë.
Ndërkaq Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se për këtë çështje janë suspenduar dy oficerë.