Lajme

Kapet në Poloni një rrjet spiunazhi rus i akuzuar për sabotim


Një grup shtetasish të huaj janë arrestuar nën dyshimin se kanë spiunuar për Rusinë.

Të paktën kështu kanë bërë me dije dy zyrtarë të qeverisë polake për median britanike “BBC”.

Stacioni radiofonik “RMF FM” ka raportuar se shërbimet polake të sigurisë kishin shkatërruar një rrjet spiunazhi që punonte për Rusinë.

Referuar raportimit në fjalë, gjashtë persona u arrestuan me dyshimin se kishin instaluar kamera sekrete për të filmuar infrastrukturën e transportit të përdorur për dërgimin e ndihmave në Ukrainë.

Dhe se celula kishte përgatitur plane sabotimi.

Konflikti i spiunazhit prej dekadash midis Rusisë dhe Perëndimit është intensifikuar që nga lufta në Ukrainë.

Polonia është një nga aleatët më të fortë të Ukrainës dhe forcat e saj të sigurisë kanë arrestuar disa persona të dyshuar për spiunazh për Rusinë që nga pushtimi shkurtin e kaluar.

Sipas “RMF FM”, grupi kishte instaluar dhjetëra kamera pranë kryqëzimeve hekurudhore dhe rrugëve të rëndësishme të transportit në provincën Podkarpackie të Polonisë, e cila kufizohet me Ukrainën.

Disa prej tyre u gjetën pranë një aeroporti të vogël rajonal që është shndërruar në një qendër logjistike ndërkombëtare që dërgon ndihma ushtarake dhe humanitare në Ukrainë.

Avionë ushtarakë dhe mallrash nga SHBA-të dhe nga e gjithë Evropa fluturojnë rregullisht brenda dhe jashtë aeroportit Rzeszow-Jasionka, ku trupat amerikane mund të shihen teksa shpërndajnë furnizime për kamionët e pritjes që bëjnë udhëtimin 100 kilometra për në kufirin ukrainas.

Vendi konsiderohet kaq i ndjeshëm, saqë Washington-i ka vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore amerikane për të mbrojtur aeroportin.

Siguria në vendet kritike të infrastrukturës thuhet se është rritur, sipas “RMF FM”.

Disa persona janë arrestuar për spiunazh gjatë vitit të kaluar. Muajin e kaluar, prokurorët akuzuan një shtetas rus, i cili është një banor afatgjatë në Poloni, për spiunim për Rusinë midis viteve 2015 dhe 2022.

Burri, i cili drejtonte një biznes në Poloni, dyshohet se ishte i përfshirë në grupe të rindërtimit historik, ku ai kishte kontakte me personelin ushtarak polak.

Ai u arrestua në prill të vitit të kaluar pas një hetimi që zbuloi se ai dyshohet se kishte mbledhur informacione mbi strukturën organizative të njësive ushtarake polake në veri-lindje të vendit.

Një shtetas spanjoll me origjinë ruse, i cili u identifikua si agjent i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU) u arrestua në Przemysl, Polonia juglindore, vitin e kaluar me dyshimin se kishte spiunuar për Moskën.

Kurse në mars të vitit të kaluar, një punonjës polak i Zyrës së Regjistrimit të Varshavës, i identifikuar si Tomasz L., u arrestua me dyshimin për transferimin e të dhënave të vlefshme operacionale te shërbimet e inteligjencës ruse.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore