Kosova

Kapet me mbi një kilogram kokainë, arrestohet një person në veri të Kosovës


Sekuestrimi i substancës narkotike

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në Veriun e Kosovës, pas bastisjes nga organet e rendit në Leshak të Leposaviçit.

Arrestimi ka ndodhur për shkak se gjatë operacionit policor është gjetur dhe konfiskuar substancë narkotike, që dyshohet se është e llojit kokainë, në mbi një kilogram.

“Hetuesit policorë kanë arritur të lokalizojnë vendbanimin e të dyshuarit në Leshak të Leposavicit”.

“Më pas policia ka kërkuar nga organet e drejtësisë urdhër për kontroll të banesës, pas pranimit të urdhrit policia ka kontrolluar banesën e të dyshuarit. Aty policia ka gjetur dhe konfiskuar: katër paketime me substancë që dyshohet të jetë kokainë me peshë të përgjithshme një mijë e 287 gr, dhe sekuestruar një mijë e 200 euro, 12  mijë dinarë dhe dy telefona”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ilustrim

Sipas njoftimit thuhet se ndaj të dyshuarit M.V., me shtetësi të Serbisë dhe Holandës, iniciohet rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”.

Pas intervistimit nga hetuesit policorë, në prezencë të avokatit, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore