Muzikë

Kanye West paditet për shkeljen e të drejtave autoriale


Kanye West, i cili ligjërisht ndryshoi emrin e tij në Ye.

Reperi dhe producenti Kanye West, i cili ligjërisht ndryshoi emrin e tij në Ye vitin e kaluar, është paditur për shkelje të dyshuar të të drejtave autoriale për përdorimin e një mostre në një këngë nga albumi i tij “Donda 2”.

Kompania “Ultra International Music Publishing” tha se kënga “Flowers” nga albumi i Ye “Donda 2” përfshin një mostër nga kënga e vitit 1986, e Marshall Jefferson “Move Your Body” që përsëritet të paktën 22 herë.

Një avokat i “Ultra International”, i cili zotëron të drejtat për këngën e Jefferson, tha se kompania nuk kishte asnjë koment dhe beson se padia flet vetë.

Jefferson është një pionier i muzikës house nga vendlindja e West, Çikago. Sipas padisë së ngritur në gjykatën federale të New Yorkut, Ye dhe përfaqësuesit e tij pranuan gjatë bisedimeve me Jefferson se “Flowers” mori mostrën “Move Your Body” pa leje. Por ato bisedime nuk përfunduan me licencë.

West publikoi albumin “Donda 2” në shkurt ekskluzivisht përmes “Stem Player-it” të tij, një pajisje dore që lejon përdoruesit të izolojnë dhe ri-kombinojnë pjesët e këngës.

Në padi thuhet se “Flowers” ka të bëjë me ish-gruan e West, Kim Kardashian, peticioni i së cilës për t’i dhënë fund martesës së tyre u miratua në mars.

Kjo nuk ishte padia e vetme për Westin, pasi edhe Pastori i Teksasit, David Paul Moten, paditi producentin në maj të këtij viti nën pretendimin se kishte marrë një nga predikimet e tij pa leje.

Këngëtari gjithashtu ka zgjidhur më parë paditë mbi mostrat e një këngëtari hungarez në këngën e vitit 2013 “New Slave” lutja e një fëmije në këngën e vitit 2016 “Ultralight Beam” dhe një vepër teatrale rreth aktivistit Marcus Garvey në “Freeee (Ghost Town Pt. 2)”, një bashkëpunim i vitit 2018 me reperin Kid Cudi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore