Jetesë & Stil

Kanye West dështon me idenë e vaksinimit të fansave të tij


Kanye West - Rep artist

Edhe një dështim më shumë në jetën e Kanye West!

Të dështoj nuk është diçka e re, të paktën jo për rep artistin e famshëm amerikan, Kanye West, i cili ka realizuar eventin e tretë për lansimin e albumit të tij më të ri “Donda”.

Evenimenti ishte i realizuar duke u përkujdesur nga detajet më të vogla e deri në finalizim, me prezantimin e ish gruas së tij, Kim Kardashian me fustan të bardhë si dhe vendosjes së shtëpisë së tij të fëmijërisë në formë të improvizuar skenike.

Kanye West dhe Kim Kardashian – “Donda”.

Por, jo gjithçka shkoi mbarë, kjo pasi që, brenda këtij organizimi, ishte realizuar edhe një fushatë vaksinimi për të gjithë pjesëmarrësit e evenimentit, e cila siç duket nuk u pëlqye nga personat e pranishëm të cilët e refuzuan bindshëm idenë e Kanye-s.

Gjithsej, 13 njerëz nga 38 mijë persona të pranishëm pranuar ofertën për tu vaksinuar në ambientet e këtij eventi, një detaj që u konfirmua nga Departamenti i Shëndetit Publik në Chicago, për të përditshmen, “TMZ”.

E ky numër mbase mund të tingëllojë si i ulët, por është i lartë krahasuar me eventin e fundit në Atlanta, ku për tu vaksinuar vendosën vetëm 4 persona nga gjithsej 40 mijë vetë sa ishin të pranishëm.

Një gjë tjetër e cila ra në sy ishte fakti se rregullat bazë për parandalimin e COVID-19, nuk ishin respektuar as nga njerëzit pjesëmarrës në koncertin e Kanye-s. Madje, atyre nuk iu ishte kërkuar as zbatimi i distancimit social, provat e vaksinimit apo testi negativ i Coronavirusit.

Ndryshe, së fundmi, rep artisti, Kanye West ka paraqitur dokumentacionin zyrtar për të ndryshuar emrin e tij nga Kanye në thjesht – Ye.

Ndërkaq, dëshirën për të bërë diçka të tillë, ai e ka quajtur “arsye personale” në dokumentet e gjykatës të paraqitura në Los Angeles.

Një veprim i tillë, vjen pothuajse tre vjet pasi ylli i muzikës dhe stilisti i modës, kishte paralajmëruar për hedhjen e një hapi të këtij lloji, qëkur e kishte planifikuar lansimin e albumit “Ye”.

Përveçse një shkurtim i emrit të tij aktual, 44-vjeçari më parë ka thënë se emri i ri ka rëndësi fetare për të.

“Unë besoj se ‘Ye’ është fjala më e përdorur në Bibël, dhe do të thotë ‘ti’”, pati thënë West në vitin 2018, duke diskutuar titullin e albumit të tij me drejtuesin e radios “Big Boy”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore