Sport

Kane preferon Manchester-in


Kane do të largohet nga Tottenham-i, nëse gjelat nuk arrijnë të kualifikohen në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Për sulmuesin e Tottenham-it interesohen shumë klube, ndër të cilët Paris Saint-Germain.

Francezët do të bëjnë lëvizjen e tyre për Kane-n këtë verë, nëse Mbappe largohet nga klubi.

Real Madrid-i ka mundësi shumë të mirë që të transferojë Mbappe-n, që zgjidhje të parë i ka madrilenët nëse nuk rinovon kontratën me Paris-in.

Në rast se ky transferim kompletohet, Kane është zgjidhja e parë për PSG-në.

Ish-trajneri i Tottenham-it, Mauricio Pochettino, ka një marrëdhënie shumë të mirë me Kane-n, me klubin e tij aktual, që po monitoron nga afër situatën e anglezit.

Tjetra, është që shumë pak klube do të jenë në gjendje të paguajnë për Kane-n. Brenda klubit londinez besohet që Daniel Levy do t’ia caktojë Kane-it një çmim prej 150 milionë eurosh.

Problemi për Kane-n, ndryshe nga Mbappe, është se ai ka edhe tre vite të tjera nën kontratë me gjelat, çka e bën largimin e tij më të vështirë.

Preferenca e Kane-it

Përkundër interesit nga PSG-ja, sulmuesi dëshiron që të mbetet në Premier League.

Preferencat e tij të qarta janë dy klubet e Manchester-it, United dhe City.

City preferon një sulmues të ri, por nëse dështon pista “Haaland”, qytetarët do ta konsideronin Kane-n si një opsion.

Në anën tjetër, United-i janë tash e sa kohë admirues të kapitenit të Anglisë, por buxheti i tyre varet nga shitjet.

Një gjë është e qartë, me gjendjen e Tottenham-it në tabelë, Kane është me një këmbë jashtë Londrës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore