Lajme

Kandidatura e Kosovës në BE, Gërvalla: Të gjitha shtetet e rajonit kanë aplikuar, pse mos të aplikojmë edhe ne


Ilustrim

Qëllimin e Qeverisë së Kosovës për të aplikuar për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ministrja e Punëve të Jashtme e ka arsyetuar me atë se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Bosnje e Hercegovinën, e cila në aspektin e funksionimit si shtet është në një pozitë më të pafavorshme se Kosova, kanë aplikuar ose edhe kanë marrë statusin e vendit kandidat për në union.

“Ne mendojmë se Kosova ndërkohë i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë dhe prandaj ne deri në fund të vitit do të zgjedhim momentin e përshtatshme kur do ta dorëzojmë edhe formalisht këtë aplikim”, ka treguar Gërvalla në një konferencë për media.

Sipas kryediplomates kosovare, hapin e parë drejtë unionit evropian duhet ta bëjë pikërisht Kosova, e jo të pres dikë që ta ftojë atë.

“Çështja është kjo, kur është momenti për aplikimet e tilla dhe kur nuk është momenti, ne mendojmë se procesi nuk mund të ecë përpara nëse ne nuk e bëjmë hapin e parë, pra pa aplikuar ne askush nuk do të na ftojë që të aplikojmë, mendojmë që me plotësimin e pjesës më të madhe të MSA-së ne plotësojmë parakushtin themelorë për aplikim”.

Ndryshe, Albanian Post, ka biseduar me profesorë ndërkombëtarë në lidhje me planin e ekzekutivit për aplikim në BE.

Sipas tyre prospekti i anëtarësimit të Kosovës në union është i zbehtë.

Kjo për dy arsye: e para konteksti gjeopolitik i prodhuar pas agresionit rus në Ukrainë, i cili e ka margjinalizuar edhe më tej çështjen e Kosovës dhe e dyta ngurtësia e pesë shteteve anëtare të BE-së për të mos e njohur si të pavarur Kosovën.

Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Branislav Radeljiç, dëshira e Qeverisë së Kosovës për t’u anëtarësuar në BE nuk do të thotë se Kosova ka arritur të formësojë në tërësi shtetin e së drejtës, duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Nëse unë do të isha pjesë e Qeverisë së Kosovës, do të fokusohesha pikë së pari në shtetndërtimin e Kosovës, duke përfshirë performancën ekonomike dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, në mënyrë që të rinjtë më në fund të fillonin të besonin se kanë një të ardhme në Kosovë, në vend që të eksploronin rrugët për të ikur jashtë vendit”, ka thënë Radeljiç për Albanian Post.

Branislav Radeljiç

Në anën tjetër për profesorin e “London School of Economics and Political Science”,  Leon Hartwell, Kosova duhet të fillojë përgatitjet për anëtarësim në BE, edhe pse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është barriera më e madhe drejtë rrugës evropiane.

“Mos harroni, Serbia e filloi procesin e anëtarësimit në BE në dhjetor 2009 dhe, siç e dini, bisedimet e anëtarësimit janë duke vazhduar. Pra, pse Kosova nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë? Kosova nuk duhet të presë derisa dialogu të zgjidhë mosmarrëveshjen aktuale me Serbinë pasi kjo mund të marrë shumë kohë”, ka thënë Hartwell për Albanian Post.

Leon Hartwell

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore