Lajme

Kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit dërgon ankesë në PZAP


Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit

Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me votat me postë në këtë komunë.

Kjo për shkak se, sipas tij, votat e ardhura nga diaspora janë të manipuluara. Dhe, të njëjta konstatime janë bërë nga vëzhguesit e PDK-së.

“Gjatë kësaj të mërkure kam dërguar ankesë në PZAP. Për fat të keq nga vëzhguesit që ka pas PDK është konstatuar që ka dyshime rreth votave me postë. Ato vota janë ta manipuluara, pasi janë të plotësuara nga një person, është një shkrim”.

Kështu ka deklaruar Shabani për Albanian Post, teksa shtoi se kërkon të hetohet rasti.

“Përderisa janë plotësuar nga i njëjti person, i bie që vota është e ndikuar. Na kërkojmë nga institucionet përkatëse ta hetojnë këtë rast”, u shpreh Shabani.

Reagimet e tilla nga PDK në Dragash, kanë ardhur pasi që sipas rezultatit të votave me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, është përmbysur rezultati, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë fituese.

PDK në Dragash ka deklaruar se disa nga votat me postë që kanë ardhur nga diaspora, janë të shkruara nga një dorë e vetme.

Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shaban Shabani, ka arritur të marrë gjithsejtë 50.21 për qind të votave të përgjithshme, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini, me gjithsejtë 49.79 për qind.

Rezultatet e KQZ-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore