Lajme

Kandiç: Të gjitha krimet e luftës në Kosovë janë të lidhura me politikën


Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç.

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për persona të pagjetur, viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka përmendur edhe krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas saj, “nuk ka asnjë krim të luftës që nuk është i lidhur me politikën”.

“Kam parë se çka ka ndodhur në Kosovë. Kam ditur, kam pasur njohuri për vrasjet dhe kam menduar se bazuar në atë çka kam parë, është e drejtë që viktimat të kenë institucione që merren me të drejtat e tyre”, deklaroi Kandiç.

Ajo ka shtuar se ka pakënaqësi në çështjen se si është punuar për të pagjeturit.

“Për mua është shumë e rëndësishme të flas nga profesioni im, unë jam hulumtuese, nuk jam person politik, por mendoj në mënyrë politike dhe mund të them se nuk ka asnjë krim të luftës që nuk është i lidhur me politikën. Askush nuk është i kënaqur sesi është punuar në çështjen e të pagjeturve. Nuk ka bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë në këtë drejtim”.

“Deri në 20 qershor të vitit 1999, kemi 1080 të zhdukur shqiptarë, nuk kemi mbetje të tyre, mund të jenë të kidnapuar, janë zhdukur me dhunë. Kurse pas 20 qershorit të vitit 1999 deri në 2000 kanë humbur apo zhdukur, 327 serbë, boshnjakë, romë, goranë dhe 38 shqiptarë, kjo tregon se sa vit i tmerrshëm ka qenë ai”, ka thënë tutje ajo.

Krimet serbe në Kosovë.

Për shkak të prezencës së Kandiçit në këtë tryezë, kryetarët e shoqatave për persona të zhdukur lëshuan sallën pasi siç thanë ata, “prezenca e saj në këtë mbledhje ishte e panevojshme”.

Më 16 maj të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.

Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore