Lajme

Kandiç: Rusia e njeh Kosovën në OKB, nëse Serbia i vë sanksione – për këtë është paralajmëruar Vuçiç


Putin dhe Vucic

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, ka marrë shkas nga intervista e fundit e ambasadorit rus në Serbi, Aleksandër Botsan-Kharchenko, për të shkruar në Twitter se Rusia e ka kërcënuar Serbinë me njohje të Kosovës nëse vendos Beogradi zyrtar të vë sanksione.

“Mesazhet e djeshme të ambasadorit rus në Beograd janë më shumë një paralajmërim për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç se Rusia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OKB në Këshillin e Sigurimit nëse Serbia vendos sanksione”, shkroi Kandiç.

Në mesin e komentuesve të këtij postimi në Twitter ishte eksperti i marketingut Nebojsha Krstiç, i cili deklaroi se do të ketë pasoja më të këqija.

“Ka edhe më keq. Kjo do të thotë se do të ketë më shumë gurëzim të Kuvendit apo tërbim siç e pamë një javë më parë. Dhe më shumë lutje të udhëhequra nga motoçiklistët e tyre. Vetëm se ato ‘lutje’ nuk do të kenë natyrë fetare, por shkatërruese”, ka shkruar ai.

Natasha Kandic

Në një intervistë, kur u pyet nëse Rusia në Këshillin e Sigurimit (KS) do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB) nëse presidenti Vuçiç pranon të gjitha pikat e planit franko-gjerman, Kharchenko u përgjigj se “për Rusinë, si një anëtare e përhershme e Këshilli i Sigurimit, do varet nga qëndrim i Beogradit”.

Vuçiç në prononcimet e tij të fundit ka hedhur tezën se mbase Serbisë do t’i duhet të bëhet pjesë e pjesës tjetër të shteteve perëndimore dhe t’i vë sanksione Rusisë.

Ai ka deklaruar se për këtë lëvizje ka presion edhe nga Bashkimi Evropian, organizatë ku Serbia dëshiron të anëtarësohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore