Sport

Kampionia olimpike do të takojë Thaçin dhe të tjerët në Hagë


Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, sot, janë nisur drejt Holandës, ku do të kenë takime me zyrtarë të këtij shteti, për të promovuar suksesin e Kosovës në xhudo, po ashtu të flasin edhe për dakordimin e programit drejt Lojërave Olimpike në Paris me Federatën e Holandës dhe me atë të Gjermanisë.

Këtë, e bëri të ditur Driton Kuka, përmes një postimi në Facebook.

Ai më tej, tregoi se në këtë udhëtim, ata do të takohen edhe me Ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin, Rexhep Selimin dhe Ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, të cilët ndodhen në Hagë momentalisht.

“Rrugës për në Holandë, ku bashkë me Majlindën do të kemi takime me zyrtarë të këtij shteti për promovimin e suksesit të Kosovës në judo si dhe dakordimin e programit drejt Lojërave Olimpike në Paris me federatat mike të Holandes dhe Gjermanisë”, ka shkruar Kuka.

“Ne po ashtu do të shfrytëzojmë këtë mundësi që nesër të takojmë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin, Rexhep Selimin dhe Nasim Haradinajn”.

Kuka shtoi se populli i Kosovës është përballur me disa probleme të vështira dhe të pabarabarta, dhe se luftërat dhe qëndresa e popullit të Kosovës, ka qenë frymëzimi i Majlindës dhe Kukës.

“Historikisht, luftërat e popullit tonë kanë qenë të pabarabarta, gjithmonë kanë qenë të vështira. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se do të zhdukemi, ne jemi zgjuar”

“Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se ne do të dorëzohemi, ne jemi ringritur. Luftërat dhe qendresa e popullit tonë, gjithmonë kanë qenë frymëzim i imi dhe Majlindes në çdo betejë”.

Ai tha se rrugëtimi i tij dhe Majlindës ka qenë i vështirë, por me mbështetjen e popullit të Kosovës, ata kanë arritur disa fitore historike.

“Rrugëtimi im dhe i Majlindës ka qenë i vështirë, përplot sfida, pengesa, dëshprime. Por, ne, bashkë me mbështetjen e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës kemi arritur që vendit t’i sjellim fitore historike”.

Kuka e përfundoi duke thënë se radhën e kanë krerët e UÇK-së, të dalin fitues nga beteja e pabarabartë që ka burimin nga raporti Dick Marty-t.

“Ashtu është edhe beteja e radhës së krerëve të UÇK-së, të cilët do të dalin fitues nga një betejë e pabarabartë, që burimin e ka në raportin skandaloz dhe të padrejtë  të senatorit Dick Marty”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore