Sport

Kampionati i tetë i Minifutbollit në Shqipëri ngre siparin


Minifutbolli është një nga sportet që praktikohet masivisht nga ata që e dashurojnë këtë sport, pavarësisht moshës, të re apo të vjetër. Nën moton “Sporti si një vlerë e shtuar” Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar do të ngrejë siparin e edicionit të tetë të Kampionatit të Futbollit Amator.

“Do të sjellim normalitetin në gjendjen fizike dhe psikologjike që ka përkeqësuar pandemia”, thotë  Presidenti i shoqatës së Minifutbollit shqiptar, Klodian Kadiu.

Edicioni i sivjetshëm do t’i dedikohet dhe është tërësisht në mbështetje të përpjekjeve për përballimin e pandemisë së Covid-19.

Kampionati përbëhet nga 24 ekipe. Lojtarët do të jenë nga qyteti i Tiranës dhe të grupmoshës nga 20 deri në 60-vjeç. Në total do të jenë katër javë të mbushura me aktivitete futbollistike, që do të zhvillohen te Kompleksi Sportiv “Ali Demi” në Tiranë.

Presidenti i Akademisë “Ali Demi”, Ergys Kadiu, pohon se me gjithë kërkesat e shumta për të qenë pjesë e këtij kampionati, është vendosur që numri i ekipeve pjesëmarrëse të mos jetë më shumë se 24, për shkak të gjendjes së rëndë që po kalojmë nga pandemia.

Sipas Kadiut, këto ndeshje janë organizuar posaçërisht për të larguar vëmendjen nga pandemia dhe për t’u kthyer disi në normalitet.

Ai gjithashtu thekson se zhvillimi dhe organizimi i sportit të futbollit në masivitet është një ndër qëllimet e herëshme të shoqatës së Minifutbollit.

Presidenti i shoqatës, Klodian Kadiu, gjithashtu është prononcuar duke thënë se aktivitetet e kësaj shoqate do të vazhdojnë dhe nuk mbarojnë këtu.

“Aktiviteti i radhës do të jetë ‘E ardhmja në duart e mia’, me shpresën që do të sjellë sado pak normalitet në këtë periudhë sfiduese, duke i ofruar qytetarëve sportin, si mekanizëm për përmirësimin e gjendjes fizike dhe psikologjike”, tha Klodian Kadiu.

Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar u themelua më 15 qeshor 2001 dhe ka lindur si nevojë për të zyrtarizuar sportin e futbollit dhe atë të minifutbollit.

Ndërkohë është hedhur shorti i kampionatit të tetë, me pjesëmarrjen e lojtarëve që janë pjesë e kampionatit dhe mbështetësve të këtij sporti, nën rregullat e distancimit social. Pas shortit, tre ekipe kanë zhvilluar menjeherë ndeshjet.

Ekipi fitues i edicionit të tetë të Kampionatit të Minifutbollit do të shpërblehet me një shumë prej 4 mijë eurosh. Vendi i dytë do të përfitojë 3 mijë euro dhe vendi i tretë 2 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore