Lajme

Kamberi: “Nuk na intereson pushteti me asnjë çmim”


Politikani shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një prononcim për mediumin serb në Bujanoc, “Bujanovacke”, ka thënë se do të insistojë në zbatimin e “Planit shtatë pikësh” të miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013.

I pyetur nga gazetarët se a do ta pranonte ndonjë ofertë për tu bërë pjesë e Qeverisë, Kamberi është përgjigjur prerazi me “Jo”. Ai theksoi se prioriteti i vetëm edhe gjatë këtij mandati është zbatimi i “Planit shtatë pikësh”.

“Jo. Plani me shtatë pika për ne është një prioritet që nuk ka alternativë. Gjithçka varet nga ajo që do të thotë dhe do të ofrojë Vuçiç, por në fund të fundit nuk na intereson pushteti me asnjë çmim”, tha Kamberi.

Lejimi i përdorimit të simboleve kombëtare, krijimi i kushteve për t’u pajisur me tekste dhe programe adekuate nëpër shkolla, njohja e diplomave për të diplomuarit në Universitetet e Kosovës, integrimi i shqiptarëve në institucione, mbeten disa nga temat kyçe me të cilat synohet përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Bujanoc e Medvegjë.

Konsultimet janë planifikuar të fillojnë të enjten në orën 9 të mëngjesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore