Sport

Kamaru Usman mbërthen sërish rripin e kampionit


Edicioni i 258 i Kampionatit Kulmor të Luftimit (Ultimate Fighting Championship/UFC) të shtunën [13 shkurt], gjeti sërish nigerianin Kamaru Usman në majën e klasifikimit të kategorisë welterweight, pasi fitoi kundër sfidantit brazilian Gilbert Burns. Me këtë fitore, Usman kapërcen rekordin e mëparshëm të George Saint-Pierre (12) për fitore të vazhdueshme pa ndërprerje.

Edhe pse me Burns-in ndanin të njëjtin ekip dhe ambjent stërvitor, Usman dominoi bindshëm duke lidhur sërish rripin e kampionitg përreth belit.

Në raundin e parë Burns vërshoi me vrull duke e goditur fort një Usman që u duk sikur ishte në vështirësi për një moment. Vetëm pak kohë më pas dhe ai ripozicionohet aty ku të gjithë e prisnin – jab (grusht i shkurtër i krahut jo dominant), presion, rezistencë, mbrojtje dhe lëvizje e mirë dhe, goditje të një-pas-njëshme me secilën gjymtyrë.

Çelësi i fitores për Usman-in ishte përdorimi mjaft i mirë i jab-it, me të cilin godiste saktësisht për të ç’ekuilibiruar Burns-in, si dhe për ta sprapsur në mënyrë që të ruante distancën e volitshme dhe hapësirën.

Në raundin e tretë u vendos çdo gjë: pasi Burns kish marrë një mori grushtash në kokë, një e djathtë nga Usman që teknikisht duhej të ishte cross (grusht i drejtë me krahun dominant), zgjuarsisht i zhvendosur pak përpara, i cili mori formën e një jab-i dhe që, ishte i mjaftueshëm për ta rrëzuar mbi kanavacën e oktagonit të UFC-së. Usman nuk u mendua dy herë pasi pa Burns-in përdhe – ajo çka mbeti ishte Usman sipër Burns-it duke lëshuar një breshëri grushtash. Ndeshja përfundoi me nokaut teknik (TKO) pasi arbitri ndërpreu aktivitetin brenda kafazit.

Usman mban rekordin e shkëlqyer me 18 – 1 – 0 ndërsa Burns 19 – 4 – 0.

Kush mund ta ndal “makthin” (nofka e Usman-it) nga Nigeria?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore