Kultura

Kalaja e Bashtovës


Historikisht pikë strategjike, monumenti me vlera të larta historike dhe kulturore tashmë është kthyer në qendrën e disa nga eventeve më të ndjekura të viteve të fundit.

E vendosur anës Via Egnatia-s, njërës prej rrugëve kryesore që lidhnin lindjen dhe perëndimin gjatë Perandorisë Romake, Kalaja e Bashtovës ka tërhequr vemendjen e popullit shqiptar dhe atij ndërkombëtar ndër shekuj. Kalaja e Bashtovës rrethohet nga një natyrë jo vetëm e bukur por me një shumëllojshmëri të rrallë. Vetëm 1 km larg saj, gjenden plazhi i Spillesë dhe i Grethit si edhe Divjaka. Zona përreth saj ruan statusin e parkut natyror kombëtar. Për këto arsye, të shumtë janë ata që i bëjnë vizitë kësaj zone edhe per aktivitete në natyrë si peshkim, ecje, apo thjesht çlodhje larg qytetit.

Historia

Kalaja e Bashtovës mendohet se është ndërtuar në fund të shek. 15-të, me pjesën e saj perëndimore të rindërtuar në shek. e 18-të. Ajo ndodhet pranë fshatit Vilë-Bashtovë, në veri të lumit Shkumbin, e rrethuar nga gjelbërimi i jashtëzakonshëm i parkut natyror kombëtar përreth kalasë. Pranë Adriatikut, ajo mbetet e vetmja kala e ndërtuar në fushë në Ballkan! Një herë e një kohë, zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregëtimi e përdorur nga Venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë osmane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthurren bukur në strukturën e kalasë

 

Arkitektura

E ndërtuar në një fushë të gjelbër pranë luginës së Shkumbinit, kalaja ka një planimetri katërkëndore me muret e saj 9 m të larta dhe 1 m të gjera si edhe shtatë kulla. Tre prej kullave, dy rrethore dhe një drejtkëndëshe, ende qendrojne, si edhe hyrjet e kalasë. Mendohet se kalaja ishte një strukturë dykatëshe dhe se kati i parë ishtë nëntokësor. Objektet e gjetura në brendësi të kalasë ruhen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore