Lajme

Kais Saied – presidenti ‘Robocop’ i Tunizisë – dhe etja e tij për pushtet


Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, u takua të hënën me parlamentarët, nga ku dёrgoi një mesazh për ata që e akuzuan për grushtin e shtetit.

“Mё kanё habitur lajmet e grushtit tё shtetit. Kam studiuar dhe mësuar ligjin dhe e di qё ёshtё ilegal”, tha ai, ndërsa një pjesë nga takimi u publikua përmes një videoje në faqen e tij në Facebook.

Saied ishte askush nё aspektin politik nё zgjedhjet e vitit 2019, zgjedhjet e dyta tё lira presidenciale në historinë e Tunizisë, pas rënies së autokratit të vjetër Zine el-Abidine Ben Ali, në fillim të Pranverës Arabe, në vitin 2011.

Një pedagog i së drejtës kushtetuese në pension, Saied, nuk ishte i lidhur me asnjë nga partitë politike të Tunizisë, as me klasën qeverisëse të vendit.

Naivi politik nuk ishte as një folës i mirë nё publik.

Entuziazmi i tij, gjatё fjalimeve nё arabishten klasike, tek tё cilat pikasej vizioni i tij pёr pastrimin e korrupsionit nga politika dhe fuqizimi i organeve lokale, i dhanё atij nofkën “Robocop”.

Për votuesit tunizianë, të ngopur me elitat që flasin mirë, qё premtojnё botën dhe japin pak, Saied dukej si marrëveshja e vërtetë.

Pikëpamjet e tij konservatore, përfshirë kundërshtimin e të drejtave LGBT, flitet se u përshtatën shumë votuesve, po ashtu dhe mesazhi i tij i drejtësisë sociale, referuar tё shtypurve në Tunizi.

Tetë vjet pasi tunizianët dolёn në rrugë duke brohoritur “Njerëzit duan rënien e regjimit”, pak gjёra janё pёrmirёsuar nё jetёn e tyre.

Në balotazhin e zgjedhjeve, Saied fitoi gati 73% të votave kundёr manjatit karizmatik të medias, i cili kishte bërë fushatë nga burgu, pasi u arrestua nën akuzat për mashtrim tatimor dhe pastrim parash.

Mbështetësit e Saied supozuan se ndjeshmëria e tij mё e lartë do t’i jepte Tunizisë një demokraci më meritokratike, të lirë nga interesat e ngushta politike të partive.

Megjithatё, në vend të kësaj, ai e gjeti veten në një presidencë kompetencat e së cilës kufizoheshin nga kushtetuta, e cila i vendoste ato kundёr atyre tё kryeministrit dhe kryeartit tё Parlamentit.

Konfliktet çuan nё ngecje kёtё vit kur Saied refuzoi të emëronte 11 ministra në një riorganizim të kabinetit. Ata ishin propozuar nga kryeministri Hichem Mechichi dhe miratuar nga Parlamenti, por Saied tha se nuk ishte këshilluar.

Ndërkohë Tunizia po përballej me të njëjtën krizë socio-ekonomike që kishte sjellë pakënaqësinë e Pranverës Arabe: një tkurrje rekord prej 8.6% në vitin 2020 nënkuptonte edhe më pak vende pune për një popullsi të re dhe në rritje, me recesionin që u përkeqësua këtë vit, pasi pandemia goditi Tunizinё, më keq se çdo vend tjetër arab.

Saied nuk e ka fshehur dëshirën e tij për një kushtetutë të re, gjё tё cilёn e kishte premtuar dhe gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Në teori, një kushtetutë e re mund të krijojë një presidencë më të fortë të aftë për të ndjekur shpejt reformën ekonomike dhe për të çrrënjosur korrupsionin nga klasa e ngulitur politike. Por, në mënyrë të barabartë, mund të sjellё një diktator të ri.

Megjithatё, Saied këmbëngul se nuk ka dëshirë të sundojë me dekret.

“Unë i siguroj tunizianët se shteti është ende në këmbë dhe nuk do të ketë vend për shkeljen e të drejtave dhe lirive ose barazinë”, tha ai të hënën.

Me autoritetet tuniziane, që kanë dështuar për vite për të krijuar një gjykatë kushtetuese – organi i cili do të vendoste nëse zbatimi i nenit 80 të Kushtetutës nga Saied ishte i ligjshëm – shumë tunizianë duken të gatshëm pёr t’u konsultuar me njё jurist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore