Lajme

Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten në paraburgim


Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ka kundërshtuar lirimin me kusht të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi me arsyetimin se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.

Sipas shkresës së ZPS-së kushtet e propozuara nga ana e Policisë së Kosovës nuk janë të mjaftueshme por edhe sikur të ishin, Policia e Kosovës nuk mund t’i zbatojë ato në mënyrë efektive dhe se vijimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mbetet i nevojshëm.

“Parashtresat e Policisë së Kosovës për zbatimin e kushteve të lirimit për personat e nivelit të të akuzuarve janë zbuluese. PK mohon çdo përgjegjësi për dështimet e profilit të lartë në lidhje me Remzi Shalën, Sami Lushtakun dhe Sabit Gecin, duke injoruar pikën se këto incidente tregojnë se figurat e nivelit të lartë kanë fuqinë për të mposhtur kushtet në Kosovë (pavarësisht agjencisë që i zbaton ato)”, thuhet tutje në këtë shkresë.

Tutje, prokuroria ka pretenduar se ka edhe raste të mëparshme të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Policisë në rrjedhën e drejtësisë.

“Si për shembull kur ata përkohësisht bllokuan zyrtarët e EULEX-it nga arrestimi i shefit të policisë së atëhershme të PK-së në Prizren, Nexhmi Krasniqi për krime të supozuara, krimet e supozuara në një vend paraburgimi të akuzuar në këtë rast”, thuhet në këtë shkresë.

Ata kanë thënë se ekzistenca e gjykatës dhe ZPS-së bazohet në realitetin se të akuzuarit e profilit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ata të akuzuar në këtë rast nuk do të mund të kishin një gjykim në Kosovë pa penguar drejtësinë.

“Në bazë të pozitave dhe përgjegjësive të tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten me ndikim të jashtëzakonshëm. Lirimi i të akuzuarve në Kosovë është kërcënim ekzistencial për zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje dhe kësaj gjykate”, vazhdon shkresa.

Gjykata Speciale

Ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë refuzuar garancinë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit nën akuzën se ka kryer krime lufte.

Një nga arsyet që përmenden në dokumentin e publikuar nga Gjykata Speciale, thuhet se ekziston mundësia e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë ku u shfaqën edhe akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara.

Po ashtu si arsye e refuzimit në rastin e Thaçit jepet edhe një fotografi ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shihet me ish-drejtorinë e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, me pretekstin se ish-anëtarët e Shërbimit Informativ të Kosovës kanë ndikim mbi Policinë e Kosovës.

Fotografia e Hashim Thaçit me Rashit Qalaj, e cila tregohet si arsyetim nga Gjykata Speciale për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht të Thaçit

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore