Lajme

Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten në paraburgim


Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një njoftimi zyrtarë kanë bërë të ditur se paraburgimi ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të vazhdojë.

“Pas urdhrit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake drejtuar Policisë së Kosovës, më 8 tetor, si dhe parashtrimeve nga Policia e Kosovës dhe nga palët, Gjykatësi në çështjen e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të tyre”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues në Gjykatën Speciale, më një dhjetor kishte kundërshtuar lirimin me kusht të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi me arsyetimin se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.

Sipas shkresës së ZPS-së kushtet e propozuara nga ana e Policisë së Kosovës nuk janë të mjaftueshme por edhe sikur të ishin, Policia e Kosovës nuk mund t’i zbatojë ato në mënyrë efektive dhe se vijimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mbetet i nevojshëm.

Gjykata Speciale

“Parashtresat e Policisë së Kosovës për zbatimin e kushteve të lirimit për personat e nivelit të të akuzuarve janë zbuluese. PK mohon çdo përgjegjësi për dështimet e profilit të lartë në lidhje me Remzi Shalën, Sami Lushtakun dhe Sabit Gecin, duke injoruar pikën se këto incidente tregojnë se figurat e nivelit të lartë kanë fuqinë për të mposhtur kushtet në Kosovë (pavarësisht agjencisë që i zbaton ato)”, thuhet tutje në këtë shkresë.

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore