Sport

Juventus, Milan dhe … Locatelli


Padiskutim që ndeshja mes Juventus-it dhe Milan-it është një nga derbet më të njohura dhe më të forta në Itali, Evropë dhe më gjerë.

Përballja mes Juves dhe Milan-it, për mesfushorin më të ri të bardhezinjëve, Manuel Locatelli-n do të jetë një ndeshje speciale, pasi është një ish në këtë sfidë.

Milan-i mori një “xhevahir” nga të rinjtë e Atalanta-s në vitin 2010, por nuk e mbajti gjatë, duke e dërguar te Sassuolo dhe ai tashmë do të ketë rastin për t’u treguar atyre se ishte një gabim që e lanë të shkonte.

Konfirmimi i Gennaro Gatusso-s në pankinën e Milan-it, bëri që Locatelli të humbiste terren në formacion dhe Lucas Biglia preferohej para tij. Kjo solli largimin e mesfushorit 19-vjeçar asokohe.

Sassuolo e mori fillimisht në huazim, por që me pas duke parë talentin, personalitetin, guximin dhe karakterin e lojtarit vendosën ta transferonin përfundimisht për shifrën e 14 milionë eurove.

Te Sassuolo, Locatelli u aktivuzua për tre sezone, duke luajtur në total në 99 ndeshje, nga ku shënoi shtatë gola dhe dhuroi 11 asiste.

Ecuria e mirë me Sassuolo-n bëri të mundur që Roberto Mancini ta thërriste në ekipin kombëtar të Italisë, për Euro 2020 dhe historia dihet. Locatelli shkëlqeu edhe aty, dhe në fund u kurorzua kampion.

Juventus-i e kërkoi me ngulm Locatelli-n, pasi e shikonte si njeriun kyç që do të zgjidhte problemet e mesfushës, që kishin nisur me largimi i Andrea Pirlo-s në 2015.

Edhe vetë lojtari e dëshironte transferimin te klubi, të cilin e quante si klubin “që kam qenë gjithmonë tifoz”.

Pas shumë negociatash, Juventus-i arriti të mbyllte marrëveshjen me Sassuolo-n për Locatelli-n. Huazim dy-vjeçar dhe detyrim blerje për 35 milionë euro.

Locatelli tashmë është “bardhezi”. 23-vjeçari është aktivizuar në katër ndeshje me Juventus-in. Sipas vleresimeve të “Sofascore”, për katër paraqitjet ka marrë notat: 6.5 me Udinese-n, 6.6 me Empoli-n, 7.1 me Napoli-n dhe 7.7 me Malon-n.

Mesfushori ka arritur t’i shënojë një herë Juventus-it, kur ishte pjesë e Milan-it në vitin 2016. Goli i të cilit i dha tri pikët kuqezinjëve asokohe.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Locatelli do të bëjë të njëtën gjë, por me fanellën e Juventus-it dhe në portën e Milan-it kësaj radhe.

Juventus-i dhe Milan-i do të përballen të dielën në mbrëmje në “Allianz Stadium”, duke filluar nga ora 20:45, për llogari të javës së katërt në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore