Sport

Juventus-i tashmë e di se çfarë duhet të bëjë me Morata-n


Sulmuesi spanjoll i Juventus-it ka dalë nga situata e keqe që po përjetonte në Itali. Ai u bë protagonisti kryesor i fitores së Juventus-it kundër Lazio-s, duke shënuar dy gola dhe dhuroi një asist.

Reprezentuesi spanjoll ka rifituar formën e tij më të mirë, si në fillim të sezonit, ku shënoi disa gola dhe dha disa asiste. Në këtë kontekst, Juventus-i, klubi ku është huazuar Morata, është gjithnjë e më i bindur se çfarë duhet të bëjë me të.

Madrileni tani ka 14 gola dhe 10 asiste në 30 ndeshje të luajtura. Sulmuesi është kryesor për Andrea Pirlo-n dhe mungesa e tij në ndeshjet e fundit ka peshuar shumë.

Morata u rikthye te Juventus-i në verën e kaluar. Drejtori sportiv, Fabio Paratici, mbylli një marrëveshje huazimi me Atletico Madrid-in për një shumë rreth 10 milionë euro, me mundësi rinovimi të huazimit me të njëjtën shumë edhe për një sezon tjetër. Dhe ky duket se do të jetë skenari më i mundshëm sipas burimeve nga pranë Juventus-it, thuhet në mediat italiane.

Sulmuesi ishte duke kaluar tre javë të komplikuara, pas një serie të problemeve fizike dhe shëndetësore.

“Kam pasur tre javë të vështira, dukej sikur kisha pak forcë në stërvitje, një periudhë e vështirë. Unë nuk ndalova së luftuari, tani po shërohem, jam më mirë dhe shpresoj të vazhdoj të rritem”, tha ai.

“Kur luani me sulmuesin më të mirë në historinë e futbollit (Cristiano Ronaldo) duhet të mendoni t’i pasoni atij para se të shënoni. Kur ai nuk ishte, dikush mendoi për të shënuar, por ai është një robot, duhet t’i jepni topin sepse ai gjithmonë shënon”.

“Jam i lumtur të jap asiste. Është ndjenjë e mirë, më pëlqen të shënoj dhe e di se si ndihesh”, shtoi Morata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore