Sport

Juventus-i me fytyrë të re sezonin e ardhshëm


Juventus-i është duke bërë një sezon jo shumë pozitiv, duke qenë 10 pikë larg Interi-it të vendit të parë në Serinë A dhe u eleminua nga Liga e Kampionëve, në raundin e të 16-ave, nga Porto. Ecuria më pozitive deri tani është arritja në finalen e Kupës së Italisë, ku përballë do të ketë Atalanta-n.

Janë shumë lojtarë që bardhezinjtë po kërkojnë që t’i largojnë, pasi nuk kanë treguar rendimentin e duhur, por edhe pagat që marrin janë shumë të larta dhe nuk justifikohen në fushë.

Në portë, Wojciech Szczesny, duhet se ka bindur drejtuesit për të qëndruar. 30-vjeçari mund të largohet vetëm nëse Juventus-i do të afrojë Gianluigi Donnarumma-n. Gianluigi Buffon-it i përfundon kontrata në verën e ardhshme, por mund të rinovohet, për të qenë përsëri portieri i dytë. E njëjta situatë edhe për portierin e tretë, Carlo Pinsoglio-n.

Në mbrojtje, kapiteni Giorgio Chiellini mund të tërhiqet nga futbolli, për shkak të lëndimeve të shumta, që e kanë penguar jo pak raste sezonet e fundit. Leonardo Bonucci ndiqet nga PSG-ja dhe mbetet për t’u vlerësuar edhe situata e tij.

Alex Sandro ka shanset më të medha për t’u shitur në verë. Paratë nga transferimi i tij do të investohen duke sjellë në Torino, Robin Gosens-in e Atalanta-s.

Merih Demiral-i ka kërkuar të aktivizohet më shumë dhe gjithashtu shpeshherë kushtëzohet nga dëmtimet, mund të largohet në rast të një oferte të kënaqëshme për Zonjën e Vjetër.

Adrien Rabiot dhe Aaron Ramsey, dy mesfushorët që marrin nga 7 milionë euro rrogë në sezon, nuk kanë bindur me paraqitjet e tyre. Për të dy lojtarët ka interes nga klube angleze dhe ky sezon mund të jetë i fundit në Torino për ta.

Rodrigo Bentancur, gjithashtu argjentinasi nuk është më i paprekshëm. Mesfushori nuk ka arritur të mbajë një ritëm të lartë në lojën e tij dhe Juventus-i mund ta shesë për 35 milionë euro. Para të cilat do të investohen për të afruar Houssem Aouar-in e Lyon-it.

Federico Bernardeschi do të largohet gjithashtu. Për lojtarin është folur edhe më herët për një largim të mundshëm, por duket se këtë herë do realizohet.

Situatë e pasiguritë edhe për Cristiano Ronaldo-n dhe Paulo Dybala-n. Të dy lojtarët janë pikëpyetja më e madhe e Juventus-it, që nëse do të largoheshin do të sillnin të ardhura, por  do të linin boshllëqe të medha.

Për momentin lojtarët e cilësuar si të pashitshëm në kampin e bardhezinjëve janë: Matthijs de Ligt, Federico Chiesa, Dejan Kulusevski, Alvaro Morata, Weston McKennie dhe Arthur. Për t’u vlerësuar janë edhe Juan Cuadrado, Danilo dhe Radu Dragusin-i.

Juventus-i po punon gjithashtu për të sistemuar edhe lojtarët që ka në huazim si, Daniele Rugani, Mattia de Sciglio, Douglas Costa, Mattia Perin, Marko Pjaca, Luca Pellegrini etj.

Po punohet edhe në drejtim të huazimeve të të rinjëve ose përfshirjen e tyre në marrëveshje për të transferuar lojtarë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore