Sport

Juventus fiton por gjymtohet


Juventus-i i Andrea Pirlo-s ka vazhduar ecurin pozitive në Serie A dhe kësaj here ka mposhtur Sassuolo-n me rezultatin 3-1, me golat e Cristiano Ronaldo-s, Aaron Ramsey-t dhe Danilo-s. Përposë fitores, bardhezinjtë kanë ngelur me pasoja nga kjo ndeshje. Në pjesën e parë të takimit, Pirlo ka bërë dy zvendësime të detyrueshme, pas dëmtimeve të Weston McKennie-t dhe Paolo Dybala-s.

Amerikani McKennie, kërkoi zvendësimin në minutën e 19’ të takimit, ndërsa argjentinasi Dybala në të 43’. Gjendja e tyre po vlerësohet nga stafi mjekësor i Juventus-it dhe me shumë mundësi do të humbin ndeshjet e radhës me Genoa-n në Kupën e Italisë të mërkurën dhe derbin me Inter-in për javën e 18 të Serie A, në fundjavë.

Për tu vlerësuar mbetet edhe gjendja e Frederico Chiesa-s, që mori një goditje në kavilje në minutën e 45+2’ të takimit nga Pedro Obiang-u, që pas rishikimit në VAR, arbitri e largoi nga loja me kartonin e kuq, këtë të fundit.

Pirlo-s i shtohet dhimbja e kokës, pasi përveç McKennie-t, Dybala-s dhe Chiesa-s, mungojnë edhe Juan Cuadrado, Alex Sandro dhe Matthijs de Ligt-i, të tre pozitiv me Covid-19.

Cuadrado dhe Sandro do të ribëjnë tamponin të enjten dhe të premten, nëse rezultojnë negativ, atëherë do të jenë në fushë përballë Inter-it të dielën në mbrëmje./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore