Lajme

Juratoviç për Serbinë: S’mund të flirtosh me rusët dhe kinezët dhe të shkosh në Evropë e të thuash duam të jemi me ju


Deputeti i Bundestagut në Gjermani, Josip Juratoviç, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është viktimë e politikës së tij, derisa ka shtuar se Serbia po e mbron regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Juratoviç përsërit se ajo që pritet nga Serbia është e thjeshtë – “të solidarizohet me grupin të cilit dëshiron t’i përkasë”.

“Ne duam të jemi në BE dhe në të njëjtën kohë regjimi i Putinit po mbrohet. Ndoshta Serbia është e varur nga Rusia për energji, por atëherë duhet të flasim me ta dhe të themi se ne e kemi këtë problem dhe kemi nevojë për ndihmë për këtë. Nuk mund të flirtosh pak me rusët dhe kinezët dhe pastaj të shkosh në Evropë dhe të thuash – duam të jemi me ju”, shton ai.

“Është e qartë se Vuçiç është viktimë e politikës së tij, duhet të kënaq BE-në, Rusinë dhe rrymat e ndryshme në vend dhe është në një situatë ku ai duhet të vendos. Nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e BE-së, ajo duhet të solidarizohet qartë me BE-në”.

Siç theksoi ai, agresioni i regjimit të presidentit të Rusisë, Vladimr Putin kundër Ukrainës është në të njëjtën kohë një agresion ndaj botës së lirë, “është edhe shkelje e konventave ndërkombëtare që Serbia ka nënshkruar për çështjen e sovranitetit dhe nuk ka asgjë për të”.

“Dikush mund të jetë mik i rusëve – nuk bëhet fjalë për rusët, por për regjimin e Putinit, i cili duhet dënuar dhe që duhet të parandalohet nga mekanizmat që kemi në dispozicion”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore