Momente

“Ju pata thënë që do ta plandos në raundin e parë” – Jake Paul


Jake Paul, një ndër youtuber-at më të ndjekur në botë, ka nisur edhe një karrierë profesionale boksi dhe jo më larg se dje u ndesh kundër një prej veteranëve dhe kampionëve të arteve marciale mikse në Bellator (një tjetër kampionat i arteve marciale mikse) dhe UFC (Kampionati Kulmor i Luftimeve) bashkë, Ben Askren.

Ndeshja u zhvillua mbrëmjen e të shtunës (17 prill) në Georgia të SHBA-ve. Paul prodhoi nokautin më të suksesshëm të karrierës së tij deri më sot dhe e gjitha brenda raundit të parë; një kombinim majtë-djathtë që rrëzoi fuqimisht përtok Askren-in.

Mirëpo, megjithëse Askren arriti të ngrihet në këmbë dhe dukej i gatshëm për të vazhduar ndeshjen, arbitri gjykoi se nuk ishte më në gjendje dhe ndaloi ndeshjen.

“Ju thashë se do ta plandos përtok në raundin e parë!”, thërriti Paul për mikrofonin e Triller.

Paul nuk harxhoi kohë t’ia kthejë publikisht gjithë zërave dhe syve dyshues ndaj aftësive të tij brenda katrorit të ringut:

“Ju pata thënë se jam luftëtar i vërtetë. Nuk e di edhe sa herë më duhet ta provojë veten që ju ta besoni se kjo që po bëj, është prej vërteti, nuk ka shaka dhe as shfaqje!”.

Nga ana tjetër, Askren pranon se mund të kishte vepruar ndryshe brenda ringut me Paul-in:

“Padyshim që mbireagova ndaj finteve të tij”, u shpreh Askren për Triller.

Kjo është fitorja e tretë për Jake Paul dhe karrierën e tij në boks, e cila filloi si një lëvizje kolektive midis disa youtuber-ave – “Lëvizja e Youtuber-ave Boksierë”.

AnEsonGib, i cili, njëlloj si Paul, është yll i rrjeteve sociale, ishte kundërshtari i parë që u mund ta grushtet e Paul-it. Më pas, mbërriti ndeshja kundër basketbollistit Nate Robinson dhe tani, listës “sporadike” të fitoreve të Paul në boksin profesionist, i shtohet edhe Ben Askren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore