Futboll

JP Morgan Chase i bashkohet Super Ligës Evropiane


Gjigandi bankar i investimeve dhe ruajtjes së paketave financiare JP Morgan Chase & Co., ka shprehur gatishmëri për të financuar nismën e një Super Lige Evropiane nga një sërë klubesh futbolli, e pavaruar nga UEFA dhe FIFA.
Në këtë kontekst, JP Morgan Chase do të ofrojë 6 miliardë dollarë për realizimin e kësaj iniciative revolucionare.

Në këtë bashkësi, janë bashkuar gjashtë ekipe nga Premier Liga e Anglisë, tre nga Serie A e Italisë dhe tre të tjerë nga La Liga e Spanjës.

JP Morgan Chase ka deklaruar ditën e hënë (19 prill) se mbështetja ekonomike është de facto në funksion të klubeve evropiane por, nuk ka informuar asgjë tjetër mbi mbarëvajtjen zhvillimore të ligës, si dhe datën ekzakte të vënies në fuqi së saj.

“Konfirmoj se ne do ta financojmë marrëveshjen, por nuk kam asnjë koment tjetër për momentin”, tha një zëdhënës i JP Morgan Chase & Co.

Një deklaratë nga vetë Super Liga Evropiane më e re e arenës së futbollit, i bashkëngjitet vijimësisë konstruktive kolektive:

“AC Milan, Arsenal, Atletico Madrid, Chelsea, Barcelona, Inter MIlan, Juventus, Liverpool, Manchester City, Manchester United, Real Madrid dhe Tottenham Hotspur, kanë konfirmuar përfshirjen e tyre si themelues të Super Ligës Evropiane.

Parashikohet se tre klube të tjera do t’i bashkohen lëvizjes për themelimin e kësaj lige dhe pritet të ndodhë përpara se të çel zyrtarisht sezoni”.

Pasi UEFA kërcënoi të gjithë klubet bashkë me lojtarët e tyre të përfshirë në themelimin e Super Ligës se, nuk do të marrin pjesë më në asnjë kampionat vendor dhe ndërkombëtar, reagime të shumta nga krerë dhe personalitete politike e sportive, i janë ngjitur ‘protestave’.

Ndër ta është Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson:
“Plani për krijimin e Super Ligës Evropiane, do ta dëmtojë fort futbollin. Ne mbështesim veprimet e autoriteteve më të larta të futbollit ndërkombëtarë”, shkroi Johnson ditën e diel (18 prill) në Twitter.

Ish mbrojtësi i Manchester United dhe i kombëtares së Anglisë, Gary Neville, ka thënë se “themelimi i ligës së re për Evropën zbuloi lakminë e paepur të pronarëve multi-miliarderë të ekipeve angleze”.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Man United Joel Glazer, ka deklaruar se liga e re do të jetë një faqe plus ne librin e historisë së futbollit evropian:

“Duke i bërë bashkë klubet më të mira të botës, si dhe lojtarët, super liga do të sjellë një kapitull të ri në futbollin e Evropës. Padyshim që kjo iniciativë do të rrisë edhe më popullaritetin e futbollit evropian, duke përballur vazhdimisht kokë më kokë ekipet më të mira të botës dhe, mendoj dhe besoj se do të rrisë edhe të ardhurat në kuadër të piramidës gjithëpërfshirëse të futbollit”, përfundoi Glazer.

Glazer do të bëhet nënkryetari i kësaj lige.

Sipas llogarive më të fundit, Man United është në borxh me më shumë se 455.5 milionë pound gjatë gjithë periudhës së karantinës pandemike.

Kriza ekonomike detyroi klubin të marrë borxh 60 milionë pound, për arsye se në llogaritë buxhetore, Djajtë e Kuq kanë humbur 6 milionë pound në çdo lojë të luajtur pa shikues në stadiumin “Old Trafford”.

Shefi i Juventus-it dhe njëkohësisht nënkryetari i ligës së re, Andrea Agnelli, ka theksuar faktin se kjo nismë ofron përspektiv plot me përfitime për futbollin evropian:

“Jemi të gjithë së bashku në këtë moment kritik, në të cilin po lejojmë ‘transformimin’ e konkurruesve evropian. Kjo lëvizje e zhvendos lojën që të gjithë ne duam, nga aty ku ishte në një pozicion me të qëndrueshëm dhe më të vetfinancueshëm. Pikëvështrimi im e sheh afatgjatë këtë përfitim bashkiak”.

Sipas Exor, një kompani aksionesh holandeze, Agnelli zotëron pjesën më të madhë të pronësisë së Juventus-it, një copë të mirë të aksioneve të Ferrari-t, gjithashtu edhe gazetën “The Economist”.

Florentino Perez, Presidenti i Real Madrid-it dhe kryetari i Super Ligës Evropiane, është shprehur se është i gatshëm ta ndihmojë futbollin që të mbërrijë aty ku meriton të jetë:

“Ne do ta mbështesim futbollin në çdo hap dhe do ta shoqërojmë pikërisht aty ku i takon të qëndrojë. Futbolli është i vetmi sport me më shumë se 4 miliardë tifozë në botë dhe, përgjegjësia jonë si klube të mëdha, është t’i përgjigjemi dëshirave të tyre”.

E përshtatur për The Guardian nga Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore