Lajme

Jovanoviq: Të rinjtë e Ballkanit mund të bëjnë diferencën


Të rinjtë e rajonit duk përfshirë edhe Kosovën kanë mundësi të bashkohen në projekte të cilat fokus kanë promovon pajtimin, besimin, bashkëpunimin dhe dialogun në Ballkanin Perëndimor, të cilat do të mbështeten dhe financohen nga zyra rajonale për bashkëpunim RYCO.

Së fundi, kjo zyrë ka lansuar projektin “Rinia e frymëzuar nga paqja” në udhëheqjen e Vladica Jovanoviq. Ky projekt ka si qëllim, interesat e rajonit dhe të të rinjve që besojnë se duhet të krijojnë një kulturë të lëvizshmërisë, shkëmbimit ndërkulturor dhe pajtimit.

“Ajo që po bën RYCO në këtë drejtim është sigurimi i mbështetjes për realizimin e një vizioni të tillë, duke e pasur pajtimin si vlerë qendrore. Ne besojmë se ndërtimi i pajtimit të vërtetë dhe të qëndrueshëm përfshin një proces që bashkon individë, grupe dhe shoqëri të rënduara nga barra e konflikteve të kaluara ose të tashme dhe nga përfaqësime dhe perceptime negative të ‘tjetrit’”, thotë Vladica Jovanoviq.

Ky projekt, dëshmon sa e fuqishme është dëshira e të rinjve për të bërë diferencën në rajon. Ndërsa, bashkëpunimi rajonal i të rinjve po konsiderohet i rëndësishëm për të ndryshuar realitetin dhe që Ballkani Perëndimor të bëhet një vend ku të rinjtë vendosin të shohin të ardhmen e tyre.

“Rajoni ynë ka kaluar një periudhë të trazuar në dekadat e fundit dhe ne të gjithë po i shohim pasojat e vendimeve të gabuara që janë marrë. Nëse duam ta ndryshojmë këtë realitet dhe ta bëjmë Ballkanin Perëndimor një vend ku të rinjtë vendosin të qëndrojnë, të jetojnë dhe të shohin të ardhmen e tyre”, thotë Jovanoviq.

Ndërtimi i aktiviteteve të ndryshme në domenet qytetare, sociale, arsimore, kulturore dhe sportive, janë disa nga mundësitë që RYCO ofron për të rinjtë.

“Ne mbështesim aktivitete të tilla si vizitat studimore, punëtoritë, eventet sportive dhe kulturore, shkollat verore etj. Ne i mbështesim dhe u ofrojmë të rinjve çdo shans të mundshëm për t’u takuar dhe për të gjetur pikat e përbashkëta për ndryshimin e rajonit”.

RYCO, në më pak se katër vjet, ka investuar më shumë se 2.500.000 euro në shkëmbime rinore përmes mbështetjes së mbi 350 organizatave dhe shkollave të mesme në rajon.

“Këto kanë bashkuar më shumë se 5,000 të rinj përmes programeve të tyre inovative dhe plot ndikim”, ka bërë të ditur Vladica Jovanoviq.

Organizata RYCO nuk punon vetëm me të rinjtë. Zyra rajonale për bashkëpunim, kontribuon edhe në mësimdhënësit e shkollave për ndërtimin e paqes, zgjidhjen e konflikteve dhe dialogun ndërkulturor në rajon.

Tutje Jovanoviq shton se “duke e ditur këtë, ne e dimë që mësimdhënësit e pajisur me njohuri dhe mjete të mira, janë në pozicionin më të mirë për të punuar me të rinjtë për temat e ndërtimit të paqes, zgjidhjes së konflikteve dhe dialogut ndërkulturor në rajon. Kjo është arsyeja pse përmes këtij projekti ne organizuam sesione trajnimi për mësimdhënësit nga i gjithë rajoni”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore