Lajme

Jovanoviç: Serbia do të bëhet koloni euroatlantike nëse s’e refuzon propozimin franko-gjerman


Kreu i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviç, ka vlerësuar se Serbia nëse nuk e refuzon propozimin franko-gjerman për çështjen e Kosovës, “do të bëhet koloni euroatlantike”.

Ai deklaroi se Beogradi zyrtar po përpiqet t’i frikësojë njerëzit me “propagandë flagrante” me pasojat e refuzimit të planit, i cili sipas tij i trajton Serbinë dhe Kosovën si dy shtete sovrane.

Juvanoviç vlerësoi se Serbia tani është “në një udhëkryq fatal” dhe se, siç tha ai, ka zgjedhje të “mbijetojë ose të zhduket”.

Ai potencoi se ata që e “nënshkruan apo e pranojnë” atë plan do të kryejnë “akt të tradhtisë së lartë”.

Jovanoviç shtoi se do të luftojë kundër propozimit franko-gjerman me të gjitha mjetet legjitime.

Por, zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, ka theksuar se Kosova është sfida më e madhe për politikën dhe politikën ekonomike serbe dhe ka shtuar se tërheqja eventuale e investitorëve nga Perëndimi do të ishte fatkeqësi për Serbinë.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në konferencë për media ditë parë ka treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.

Vuçiç tha se “pesëshja e madhe” e diplomatëve që e vizituan i kanë thënë se “duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: Numri një – ndërprerje e procesit integrues në Evropë. Nën dy – me ndalim dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre – Me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”.

Siç e shpjegoi Vuçiç para mediave, pesë diplomatët qysh në fjalinë e dytë i kanë thënë se “plani duhet pranuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore