Lajme

Joseph thotë se veprimi i ambasadorit Hill nuk ishte “i mençur”


Ligjëruesi në Universitetin “John Hopkins”, Edward Joseph, mendon se veprimi i ambasadorit amerikan në Serbi, Chris Hill nuk ishte “i mençur”.

Reagimi i Joseph u bë në median sociale “Twitter”.

“Ambasadori Chris Hill shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve të serbëve gjatë luftërave të viteve 1990 dhe konkretisht në fushatën ajrore të NATO-s. A ishte e mençur të bëhej një gjë e tillë? Jo. A ishte gabim? Përgjigje më e ndërlikuar”, shkruan fillimisht njohësi i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor.

Kujtojmë që Hill shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet e të vrarëve në luftërat e viteve 1990, përfshirë të vrarët në bombardimet e NATO-s.

“E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij”, shkruante Hill në Twitter.

Sipas Joseph, ky veprim nuk ishte i mençur sepse, që nga momenti më i lartë i vitit 2010, kur Parlamenti serb njohu në heshtje gjenocidin e kryer në Srebrenicë, “Serbia ka ecur prapa në ballafaqimin me të kaluarën, ashtu siç ka ecur prapa demokracia e saj”.

“Revizionizmi është thelbi i regjimit të Vuçiç-it”, vëren ai.

Joseph kujton se ashtu si Putin-i me rusët, “Vuçiç inkurajon serbët të mendojnë për veten si viktima, jo si autorë”.

“Për Beogradin, historia e fundit e Kosovës fillon në vitin 1999, me bombardimet e NATO-s, jo me 1989 me heqjen e autonomisë – dhe një dekadë represioni brutal”, shton profesori amerikan.

Për të treguar se kjo nuk është vetëm narrative, ai sjell komentin e kryediplomatit serb Daçiç në vitin 2020.

“Në vitin 2020, ministri i Jashtëm Daçiç bëri këtë pyetje rrëqethëse: ‘Çfarë do të bëjmë me serbët që tregojnë se ku janë varrosur trupat e shqiptarëve nëpër Serbi?’”, sjell në vëmendje Joseph.

Një tjetër arsye, thekson ligjëruesi amerikan, se pse ky veprim nuk ishte gjithashtu i mençur është fakti që Rusia relativizon pushtimin e saj kriminal të Ukrainës duke iu referuar bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Pra, Putin-i përdor ndërhyrjen ushtarake dhe politike perëndimore në Kosovë si lëndë djegëse për ankesën bazë ruse, duke nxitur luftën, sqaron njohësi i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë mënyrë, ngushëllimet e qëllimshme “përforcojnë ndjenjën oportuniste të viktimizimit ruse dhe serbe”, mendon Joseph.

“Në vend që të qetësojnë hidhërimin, ngushëllimet i largojnë serbët të kuptojnë të vërtetën: humbjet e tyre – duke përfshirë humbjen e Kosovës – janë kryesisht rezultat i agresionit serb”, nënvizon ai.

Lidhur me këtë të fundit, profesori amerikan tregon se askush nuk duhet të habitet.

Kjo, pasi Vuçiç për të nuk e ndryshoi narrativën e viktimës vetë-shërbyese edhe pasi zëvendëspresidenti i atëhershëm Biden shprehu ngushëllime në vitin 2016, duke përdorur të njëjtat fjalë si Hill.

“SHBA-të vazhdimisht kanë mbrojtur të drejtat e viktimave serbe. Pyesni Hashim Thaçin, tani në sallën e gjyqit të Hagës”, vijon Joseph. “Çekuilibri i plotë, masiv ndërmjet numrit të viktimave serbe – dhe numrit të viktimave në duart e serbëve – ende injorohet thelbësisht në Serbi”.

Sipas Joseph, Chris Hill është nga personat që e di fort mirë se pse dështoi diplomacia.

“Një diktator cinik serb mori pushtetin duke abuzuar me Kosovën, duke refuzuar të rivendoste qoftë edhe një formë modeste të autonomisë. Ironia: sot Beogradi kërkon një formë autonomie për serbët e Kosovës, pasi të njëjtën gjë e shuan edhe për shqiptarët”, shkruan profesori amerikan.

Në përmbyllje, ai mendon se ndonëse nuk ishte veprim i mençur, ambasadori Hill nuk është domosdoshmërisht gabim për shprehjen e ngushëllimeve.

“Diplomacia dështoi. Serbët vdiqën. Kombi serb e përjeton bombardimin e NATO-s si një traumë kombëtare – pavarësisht nga fajësia e udhëheqjes serbe për krimet në Kosovë (& BiH dhe Kroaci.) Si ambasador në Maqedoninë e atëhershme gjatë fushatës së NATO-s, Hill luajti një rol të rëndësishëm në strehimin human të refugjatëve shqiptarë të Kosovës të dëbuar gjatë luftës. Unë e njoh këtë nga dora e parë si menaxher i kampit të refugjatëve në Stenkovec afër kufirit Maqedoni-Kosovë”, kujton Joseph.

Për profesorin amerikan, me kalimin e kohës dhe me kthimin përfundimtar të Serbisë në rrugën demokratike, do të kuptohet sinqeriteti i gjestit të Hill-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore