Lajme

Joseph: Në veri s’ka protestues, por kriminelë – Kurti e ka një pjesë të përgjegjësisë


Edward Joseph

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prononcim për “Al Jazeera“, tha se personat që sulmuan paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë, nuk janë protestues paqësorë, por kriminelë që udhëhiqen nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në këtë kuptim, veprimet e Serbisë, sipas Joseph, janë të dukshme dhe u shprehën në dhunën e orkestruar nga ajo në pjesën veriore të Kosovës, veçanërisht në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kjo, pohoi ai, në asnjë mënyrë nuk e absolvon nga përgjegjësia Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“NATO po tregohet e butë duke i etiketuar këta individë si protestues, ndërkohë që ata janë kriminelë. Ky është një konfrontim kriminal. Kjo nuk është protestë. Ne e dimë dhe zyrtarët amerikanë e dinë se, kjo situatë kontrollohet nga Beogradi. Beogradi kontrollon strukturat kriminale që dominojnë veriun”.

“Kjo nuk do të thotë se Prishtina, kryeqyteti i Republikës së pavarur të Kosovës, nuk ka ndonjë përgjegjësi këtu. Dhe, kryeministri Albin Kurti injoroi thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tjerë që të përmbahen dhe të jenë shumë të matur në raport me veriun. Sigurisht kjo e solli situatën që kemi sot”, shtoi ai.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta ndryshojë kursin, ngase “do të ketë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe”, megjithatë, sipas Joseph, amerikanët shkuan shumë larg dhe i hapën rrugën Vuçiç-it për ta përshkallëzuar situatën atje.

“Kryeministri Kurti meriton kritika por SHBA-ja shkoi larg. Kjo kritikë është shumë e ashpër, se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së do të dëmtoheshin nga kjo lëvizje. Ligjërisht Kosova është në të drejtën e saj. Kjo ishte një dritë jeshile që Vuçiç të vinte dhe të përshkallëzonte situatën duke e fajësuar Kurtin”.

Ndryshe, po vazhdon tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendos para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore