Sport

Josa: Nuk e shoh si sfidë ndeshjen me Tiranën


Trajneri i Kukësit, Mirel Josa, ka folur për mediat para ndeshjes me Tiranën, që do të luhet të shtunën, duke filluar nga ora 16:00.

Për Josen, ndeshja me Tiranën nuk përbën sfidë në vetvete, por është një ndeshje e radhës si gjithë të tjerat. Tekniku gjithashtu ka konfirmuar edhe dy mungesa kryesore, që janë me peshë për verilindorët.

“Nuk e shoh si sfidë me Tiranën, e shoh si ndeshje e radhës që ka Kukësi, qoftë Tirana apo dikush tjetër. Shohim nivele që nuk kanë shumë ndryshim. Ndryshimi ka ardhur nga gabimi i skuadrave ose nga aftësitë e skuadrave për të bërë mirë”, tha Josa.

“Nuk jemi pa mungesa në këtë ndeshje. Do të jenë dy mungesa kryesore. Një është Kurdic i cili ka problem me kartonat dhe tjetri është e Tsinxaxes, i cili ishte i pafat me incidentin që pësoi dhe do të mungojë 10 ditë, por kemi lojtarë të tjerë që mund t’i zëvendësojnë, sepse mua më intereson e përgjithshmja. Dëmtimet janë gjëra normale në një skuadër dhe kemi punuar shumë për këtë ndeshje”.

Josa u përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve, nëse Tirana ishte më e avantazhuara në këtë përballje, por sipas tij, futbolli nuk njeh fanela dhe ekipe të lehta.

“Nuk besoj se ka fanela në futboll, por duhet të jesh në gjendje t’i interpretosh ndeshjet siç duhet. Kemi pasur ndeshje të lehta dhe kemi humbur pikë. Për mendimin tim çdo ndeshje varet nga gjendja aktuale e skuadrave”, vijoi tekniku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore