Bota

Jordania, i pari vend që vaksinon refugjatët


Agjencia e Kombeve të Bashkuar (KB) për Refugjatët, UNHCR, ka njoftuar me 14 Janar se Jordania është bërë një nga vendet e para në botë që fillon vaksinimet COVID-19 për refugjatët.

“Qeveria ka përfshirë refugjatët në çdo plan të bërë ndaj pandemisë, përfshirë dhe fushatën kombëtare të vaksinimit”, është shprehur Komisioneri i Lartë i KB-ës për Refugjatët, Filippo Grandi.

Grandi u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të ndjekin shembullin e Jordanisë. Gjithashtu të përfshijnë refugjatët në vaksinat e tyre, në mënyrë të barabartë me shtetasit dhe në përputhje me parimet e alokimit të COVAX.

Sipas UNHCR-ës, nga 90 vende që aktualisht zhvillojnë strategjitë kombëtare të vaksinimit, 51 prej tyre janë shprehur pro përfshirjes së refugjatëve në këtë proces.

Si pjesë e planit kombëtar të vaksinimit COVID-19 të Jordanisë, kushdo që jeton në vend, përfshirë refugjatët dhe azilkërkuesit, kanë të drejtë të marrë vaksinën falas.

Bashkëpunimi mes UNHCR-ës, Qeverisë së Jordanisë,Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe përfshirja e refugjatëve në masat parandaluese, kanë qenë thelbësor në kufizimin e përhapjes së virusit midis këtyre popullatave të prekshme.

Rasti i parë i COVID-19 u konfirmua midis refugjatëve në Jordan në shtator të vitit të kaluar, sipas UNHCR-ës. Numri i refugjatë që jetojnë në kampe ka arritur në 1 mijë e 928, të cilët kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit. Përqindja e refugjatëve me COVID-19 ka mbetur gjithashtu e ulët, me 1.6%, krahasuar me 3% të shtetasve jordaneze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore