Sport

Joan Laporta, presidenti i falimentimit apo heroi i ndryshimit?


Më datë 7 mars u zgjodh presidenti i ri i Barcelona-s pas zgjedhjeve të rregullta demokratike.

Fitues i garës ishte Joan Laporta, i cili me 57.8% të votave “shkatërroi” Victor Font (31.8%) dhe Toni Freixa (9.1%).

Por kush është Joan Laporta?

Laporta është pasardhës i Josep Martia Bartomeu, i cili në muajin tetor u dorëhoq nga detyra në krye të klubit blaugran.

Arsyeja e dorëheqjes së tij ishte për shkak se ish-presidenti nuk deshi të përballej me një mocion votëbesimi që ishte i planifikuar të organizohej në muajin nëntor.

Shumica e anëtarëve të Barçës ishin kthyer kundër Bartomeu-t, pasi Messi kërkoi largimin në verë dhe Barcelona humbi 2-8 ndaj Bayern Munich.

58-vjeçari Laporta, për herë të parë si president i Barcelona-s u zgjodh në vitin 2003.

Ai ishte pjesë e një ndër periudhave më të suksesshme në historinë e klubit katalunas. Gjatë  kohës së tij në klub, ndër trofetë e shumtë, Barcelona fitoi katër La Liga dhe dy trofe Champions.

Në vitin 2006, Laporta, si konkurrenti i vetëm, u zgjodh përsëri president. Por, sipas statuseve të klubit blaugran, i ndalohej që të kishte një mandat të tretë në vitin 2010.

Laporta kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e vitit 2015, kur ishte “shkatërruar” nga Bartomeu, i cili vinte direkt pas një triumfi të trefishtë në sezonin 2014/’15.

Çfarë ndryshimi pritet të sjellë ai në klubin katalunas dhe cilat janë detyrat e tij kryesore?

Mbrëmjen e 7 marsit, Laporta festoi fitoren, duke kënduar himnin e klubit bashkë me ekipin e tij. Ai premtoi që do t’i kthejë lavdinë e dikurshme Barcelonës, duke u fokusuar në gjëra të thjeshta, por që sjellin shumë.

Këto janë ringjallja e akademisë së klubit, “La Masia”, rinovimi me Lionel Messi-n dhe rikthimi i stilit “Cruyff” në futbollin e Barcelona-s.

Presidenti, që kishte përjetuar një periudhë super të suksesshme gjatë shtatë viteve të para në klub, këtë herë vjen me një detyrë ndryshe.

Laporta e gjen klubin në një borxh bruto të 1.4 miliardë eurosh, më një borxh neto të 488 milionë eurosh.

Brenda këtij viti, në rast se klubi dëshiron të shmangë falimentimin, duhet të paguajë të paktën 60% të shumës 1.4 miliardë, te katër kompani të ndryshme nga të cilat është huazuar shuma.

Por, çfarë do thotë falimentimi, ku e dërgon një falimentim i mundshëm klubin blaugran?

Nëse klubi dështon të paguajë 60% të borxhit brenda këtij viti, çdo kontratë e vlefshme e klubit shkëputet, automatikisht bie në kategorinë e katërt dhe gjithçka fillon nga zero.

Janari 2021 ose do ta shohë Barcelona-n në greminë, ose në Olimp.

Me pak fjalë, synimi kryesor i Laporta-s është të jetë hero i ndryshimit, jo presidenti i falimentimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore