Kampionë

Jeta nuk hedh asnjëherë nokaut një legjendë…


Në moshën 85-vjeçare, Shqipërisë dhe kulturës sportive e intelektuale të jetës së Tiranës i largohet një ikonë.

Ahmet Golemi ishte ekstravaganca e mishëruar në boks, tepri prej aftësisë e karizmës njerëzore. Një kampion i dy kohëve, pesë herë triumfues brenda ringut e jashtë saj si zëri që kumbon nga rënia e trupave në dysheme.

Nga historitë e komunizmit ku u burgos dhe qëndroi nën arrest nga data 30 tetor 1974, deri më 14 tetor 1978 për festimin e fitores së Muhamed Alisë.

Apo historia e duarve dhe zemrës së boksierit që u drodhën nga një prej vajzat më të bukura asokohe të kryeqytetit Ganimete Cukës, të cilën Ismail Kadare e quante prostitutë në librin “Përballë pasqyrës së një gruaje”.

Ahmet Golemi ishte një diktat i kulturës dhe etikës sportive që do kultivohet në çdo kohë. Cilësisht ishte shkrimtari që grushtonte, apo komentatori, zëri i të cilit hidhte nokaut shikuesit para se boksierët të rrëzoheshin pa ndjenja.

Lajmin e hidhur e njoftoi i biri i legjendës Golemi nëpërmjet platformës Facebook të shtunën e 15 majit.

“Miq dhe dashamirës! Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen se sot u nda nga jeta babi im, Ahmet Golemi”, shkruhej në status.

Ahmet Golemi lindi më 5 qershor të vitit 1936, në Tiranë. Ai ishte kampion i boksit shqiptar, shkrimtar, gazetar dhe komentator sportiv.

Golemi numëron nëntë tituj në karrierën e tij, pesë herë si kampion i vendit dhe katër herë nënkampion.

Nëse koha përcjell më të mirët dhe largimi i lartëson në kujtimet e të gjithë sportdashësve e jo vetëm, Golemi largohet si një kampion që jeta nuk e hodhi asnjëherë nokaut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore