Film

Jeta e The Weeknd ka ndryshuar prej Avatar – ‘Ishte kismet’, thotë në një intervistë të rrallë


Intervistat e tij janë shumë të rralla dhe në fakt numërohen me gishtat e njërës dorë, përgjatë një dekade karrierë muzikore, por mbi një çështje kaq të ndjeshme për të, sa kolona zanore e filmit më të ri të James Cameron, Avatar – The Way of Water, nuk mund ta linte The Weeknd jashtë prozhektorëve.

Ai ka folur ekskluzivisht për revistën e njohur amerikane “Hollywood Reporter” dhe ka treguar se si filmi i parë Avatar, i hedhur në treg në vitin 2009, i ka ndryshuar jetën atij dhe në një lloj mënyre, pjesëmarrjen aktive në instalimin e dytë të sagës së krijuar nga Cameron, e ka etiketuar si “kismet”.

“Ka qenë me shumë mundësi periudha më e errët e jetës time”, i referohet artisti kanadez vitit 2009, përpara daljes së Avatar. “Nuk kisha shtëpi, sapo e kishin lënë shkollën, nuk e dija çfarë do të bëhej me jetën time dhe nëse do të kisha sukses në industrinë muzikore”.

Madje, ai thotë se nuk e dinte as nëse do të ishte me fat sa të jetonte të shihte të nesërmen.

Por, një hyrje fshehurazi në një kinema të Torontos, qytetit të tij të lindjes, për të parë Avatar, i ndryshoi jetën.

“Ishte një ikje aq e paimagjinueshme nga realiteti. Aq sa ai film, është i ngulitur dhe i bërë tatuazh në mendjen time”, vijon të rrëfejë më tej ai.

Por, sot, 13 vjet më vonë, Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, është ndër muzikantët më të suksesshëm në gjithë botën dhe një telefonatë nga vetë James Cameron, do ta bënte atë të çmendej!

“Më tha se nuk kishte asnjë emër tjetër, përpos meje, i cili mund të realizonte kolonën zanore të filmit. Ndihet sikur është kismet dhe është një çast, i cili plotëson gjithë rrotullimin e karrierës time, për shkak se është një film kaq me rëndësi për mua”.

Kështu, ai iu fut punës, së bashku me regjisorin e filmit, i cili i dërgonte shënime mbi si muzika e teksti duhet të ishin, për të qenë në përputhje me vizionin e filmit.

Bashkëpunim pati edhe me trion suedeze, Swedish House Mafia, si edhe me kompozitorin, Simon Frangles, i cili ka zhvilluar gjithë muzikën shoqëruese të filmit.

Për këtë të fundit, The Weeknd madje thotë se ka fituar shumë eksperiencë prej tij, mbi të gjitha në kushtet kur ai vetë po bën gjithë muzikën për serialin e tij “The Idol”, i cili do të transmetohet në platformën HBO.

Duke qenë se “Nothing is Lost”, kolona zanore e Avatar – The Way of Water, e kënduar nga The Weeknd, është pjesë e listës për të qenë e nominuar për kolonën më të mirë zanore në ndarjen e çmimeve Oscars, ai nuk e fshehu krenarinë dhe kënaqësinë e vlerësimit.

Ndërsa, për dashamirësit e muzikës së tij, të cilët përpos turit në Evropë dhe Amerikën e Jugut, presin edhe këngë të reja, ai ngjalli një rreze shprese, duke e përmbyllur intervistën për Hollywood Reporter, me lajmin se ka punuar në studio për të shkruar këngë të reja.

Objektivi? Përmbyllja e trilogjisë, e cila nisi me After Hours dhe vijoi me Dawn FM.

Nga ferri, në purgator, dinamika e radhës muzikore e The Weeknd pritet të jetë parajsa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore