Libra

 Jeta e përditshme në botën moderne


Pierre-Auguste Renoir- Luncheon of the boating party -1881

Mbi jetën e përditshme, filozofi francez, Henri Lefebvre kishte bërë një studim sistematik, fillimisht duke botuar veprën Kritika e jetës së përditshme-I (1956) dhe pas më shumë se 15 vitesh kishte botuar edhe vëllimin e II-të të kësaj vepre(1961).

Por, kjo nuk ishte e tëra rreth trajtimit të përditshmërisë. Lefebvre kishte botuar edhe veprën Jeta e përditshme në botën moderne (1967), si një plotësim i veprave paraprake si për nga forma, po ashtu edhe për nga përmbajtja.

Jeta e përditshme, si temë, deri tek trajtimi që i bënë Lefebvre, mbase ishte konsideruar si e parëndësishme që të ketë një refleksion filozofik mbi të, apo thjesht ishte harruar që të trajtohet.

Jeta e përditshme sipas Lefebvre është një “strukturë globale” që përbëhet nga puna, jeta e familjes, por edhe nga koha e lirë.

Leon Joseph Voirin – La Terrasse Du Cafe Du Glacier-1882

Pra, kjo vepër ka për fokus përmirësimin e cilësisë së jetës së përjetuar nga individi, përkatësisht nga burri dhe gruaja bashkëkohore.

Vepra e Lefebvre u bë shumë atraktive për ata të cilët jetonin me problemet e inflacionit, papunësisë dhe ripërtrirjes së burimeve njerëzore sepse e shihnin si një mundësi për përmirësim të jetës.

Jeta e përditshme në botën moderne, filozofi francez bënë vlerësimin e arritjeve dhe mangësive sa i përket zbatimit të pikëpamjeve të ndryshme filozofike, si bie fjala Marksizmit apo Strukturalizmit në jetën e përditshme.

Pra, ai bënë një studim mbi ndikimin e konsumerizmit në shoqëri. Gjithashtu, sa i përket fenomenit gjuhësor dhe llojeve të ndryshme të terrorizmit të komunikuar përmes masmediave, Lefebvre analizon efektet e tyre në shoqëri.

Lefebvre, kërkesën e Marksit për ndryshimin e botës e kupton si një kërkesë për transformimin thelbësor të jetës së përditshme. Këtë transformim e sheh si ndryshim brenda raporteve në prodhim, dhe brenda “superstrukturave”, por konsideron se nuk sigurojnë ndonjë ndryshim cilësor të jetës së përditshme.

Pra, zotërimi teknik sipas analizës kritike të Lefebvre-it është përcjell me një varfërim të qenies njerëzore. Ndërsa, shoqëria moderne konsideron ai, nga njëra anë ka arritur një rritë të dukshme ndërsa nga ana tjetër një zhvillim të dobët. Kurse si karakteristikë e theksuar apo dominuese e kësaj shoqërie është konsumi masiv. Kjo sjell mërzinë, gjë që me të lind edhe prirja për ikje dhe shkëputje nga jeta e përditshme.

Raportin mes prodhimit dhe konsumit e “rregullon” reklama. Reklama zëvendëson ideologjinë e vjetër, pra, e mbulon, e fshehë dhe e transponon komplet realitetin. Andaj, Lefebre reklamën e sheh si ligjërim të mallit.

Spektakli i konsumit, të cilin e ofron reklama, nxit vazhdimisht konsumin e spektakleve[1].

[1] Anri Lefevri, Jeta e përditshme në botën moderne, Rilindja, 1980, Prishtinë, fq.204.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore