Lajme

Jeremiç: Një njeri normal s’do ta nënshkruante marrëveshjen që e çon Kosovën në OKB


Vuk Jeremiç

“Nuk mendoj se dikush i zgjuar, normal, duhet të nënshkruajë një lloj marrëveshjeje që e çon Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Edhe ata që thonë se si duhet pranuar, besoj se do t’u dridhej dora”, tha kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiç.

“Ne si Parti Popullore mendojmë se koncepti i diskutimit të çdo dokumenti duhet të refuzohet në formatin e QUINT-it, sepse Këshilli i Sigurimit i OKB-së është organi i vetëm ku mund të diskutohet për statusin e ardhshëm të Kosovës”, tha Jeremiç për rrjetin ballkanik të lajmeve N1.

Jeremiç tha se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve mes palëve, nuk do të nënshkruhet as nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ndonëse ai ka dhënë sinjale se do ta vendosë firmën.

“Mendoj se Vuçiç nuk ka ndërmend të nënshkruajë. Është e rrezikshme të kapesh në një cikël të tillë, në një format ku nuk ke aleatë për të negociuar për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në një situatë të tillë, atëherë gjërat mund të dalin jashtë kontrollit dhe brenda natës gjendesh në një Rambuje të re me një letër përpara që as nuk mund ta firmosësh dhe as nuk mund ta nënshkruash”.

Gjithashtu, sipas Jeremiç-it, plani i shefit të shtetit serb është të fajësojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për dështimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së ndërsa shtoi se Kurti nuk ka treguar talent në kuptimin diplomatik.

“Koncepti i negocimit të statusit të Kosovës në këtë formë duhet të hidhet poshtë. Të futesh në këtë lloj historie është e rrezikshme, mund ta gjesh veten në rrethana ku nuk ke një zgjidhje të mirë. Këtë na e thotë përvoja e Rambujesë”.

“Pranimi do të ishte tradhti e pastër ndaj Kushtetutës, popullit, moralit dhe etikës. Një arsye tjetër është se nëse do ta pranonin dhe nënshkruanin, do të hapte një epokë të re paqëndrueshmërie dhe konflikti në Ballkan si në vitet nëntëdhjetë. Pasoja e kësaj do të ishte hyrja e Kosovës në OKB, pastaj krijimi i Shqipërisë së Madhe”, vlerësoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore