Financa

Jeni japonez prek nivelin më të ulët të 32 viteve kundrejt dollarit amerikan


Jeni japonez ka prekur nivelin më të ulët të 32 viteve të fundit kundrejt dollarit amerikan.

Jeni ka rënë në 147.66 kundrejt dollarit amerikan përpara se të rifitonte terren.

Shunichi Suzuki, ministri japonez i Financave, ka bërë me dije se qeveria do të ndërmarrë ‘veprimet e duhura” kundër paqëndrueshmërisë së monedhës.

Muajin e kaluar, Japonia ka shpenzuar pothuajse 20 miliardë dollarë për të mbështetur monedhën në vështirësi të vendit.

“Nuk mund të tolerojmë paqëndrueshmëri të tepruar në tregun e monedhës të nxitur nga lëvizjet spekulative. Po shikojmë lëvizjet e monedhës me një ndjenjë të fortë urgjence”, ka treguar Suzuki.

Japonia ka ndërhyrë muajin e kaluar në tregun global të monedhës për të ndihmuar në mbështetjen e jenit në rënie.

Kjo lëvizje erdhi pasi jeni arriti një nivel të ulët të ri 24-vjeçar kundrejt dollarit, duke shënuar herën e parë që autoritetet japoneze kishin ndërhyrë në tregun e monedhës që nga viti 1998.

Analistët kanë paralajmëruar se ndërhyrje si kjo do të kishin pak efekt për sa kohë që normat e interesit të Japonisë mbeten shumë më të ulëta se ato në SHBA.

Muajt e fundit, monedha japoneze është vënë nën presion në rritje, kryesisht për shkak të qasjes shumë të ndryshme të Bankës së Japonisë në krahasim me Rezervën Federale të SHBA-ve.

Shifrat zyrtare kanë treguar se çmimet e konsumit në SHBA u rritën më shumë se sa pritej muajin e kaluar, në shenjë se lufta e inflacionit në ekonominë më të madhe në botë nuk ka mbaruar.

Inflacioni ishte 8.2 për qind në 12 muajt e fundit deri në shtator, nga 8.3 për qind në gusht.

Rritja e çmimeve të konsumit në SHBA po shikohet nga afër ndërsa përpjekjet e Rezervës Federale për të frenuar inflacionin rrisin vlerën e dollarit dhe kostot globale të huamarrjes.

Banka Qendrore e Amerikës ka rritur në mënyrë agresive normat e saj të interesit për të luftuar çmimet në rritje, gjë që e ka bërë dollarin më tërheqës për investitorët.

Kurse Banka e Japonisë i ka mbajtur normat e ulëta.

Sakaq, forca e dollarit në tregjet financiare globale po ndikon edhe në monedhat e tjera kryesore në mbarë botën.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore