Kosova

“Jemi të tronditur”, Hovenier: SHBA-të dënojnë sulmin ndaj dy të rinjëve serbë


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-të e dënojnë ngjarjen që ndodhi pasditen e 6 janarit në Shtërpcë ku mbetën të plagosur dy të rinjë serbë.

Hovenier të shtunën në mëngjes mori pjesë në liturgjinë e Krishtlindjeve në manastirin e Graçanicës, me çrast theksoi se SHBA-të janë të tronditura nga rasti ndërsa vlerësoi reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, theksojmë se sa të tronditur jemi të gjithë nga ajo që ndodhi me dy të rinjtë që u qëlluan dhe sigurisht e dënojmë atë akt. Gjithashtu, jemi mirënjohës që autoritetet vepruan shpejt dhe e arrestuan të dyshuarin”, tha Hovenier.

Ndryshe, plagosja e dy djemve serbë, Stefan Stojanoviç (11 vjeçar) dhe Millosh Stojanoviç (21 vjeçar) nga një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Rastin e kanë dënuar kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.

Nga ana tjetër, në Serbi rastit i kanë dhënë ngjyrime politike.

Kujtojmë se Lista Serbe – forca politike e serbëve të Kosovës – ka bërë thirrje për protestë, e cila pritet të mbahet të dielën me fillim në orën 12:00.

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë: Paraqitet kërkesa për masën e paraburgimit ndaj dorasit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore