Lajme

Javën e ardhshme rikthehet dialogu në Bruksel, diskutohet për reciprocitetin dhe disa çështje të tjera


Albin Kurti dhe Aleksander Vucic, veriu i Kosoves ne harte

Pas normalizimit në Veri, përkatësisht në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, që pritet të ndodhë me përfshirjen e trupave të KFOR-it, largimin e Njësiteve Speciale nga aty dhe çbllokimin e rrugëve nga protestuesit serbë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë udhëtojnë për në Bruksel, që të vazhdojnë procesin e dialogimit.

Çështja kryesore e bisedimeve do të jetë situata e fundit, ku do të tentohet të gjendet një rrugëdalje dhe të vendoset si do të vazhdohet me kërkesën e Kosovës për reciprocitet me targat.

Në këtë raund pritet të jepet një zgjidhje dhe të arrihet një pajtim për targat dhe kalimet e dyanshme të veturave në këto pika kufitare. Veç kësaj teme, do të bisedohet edhe për disa çështje të tjera, që lidhen me këtë situatë të krijuar në pikat kufitare.

Prezenca e KFOR-it në vendin ku aktualisht po qëndrojnë Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, u bë pothuajse e detyrueshme, meqë Serbia filloi ta mobilizojë ushtrinë e saj, duke e çuar kështu në nivel ushtarak problemin.

Trupat e KFOR-it ne Jarinje

Ekspozimi i ushtrisë serbe dhe afrimi i tanksve në kufi bashkë me fluturimet e helikopterëve dhe avionëve ushtarakë serbë, ka obliguar KFOR-in, si ushtria që kujdeset për sigurinë në Kosovë, që të ndërmarrë masa konkrete duke dhënë kështu një përgjigje ushtarake.

Alarmi për NATO-n ka ardhur kur Ambasadori Botsan Hartchenko, njeriu i afërt i Putinit në Beograd, përkrah ministrit serb të mbrojtjes, vizitoi trupat luftarake serbe të pozicionuara afër kufirit me Kosovën. Mesazhi i vizitës së tij nuk ka nevojë për përkthyes, duke e bërë të qartë se ka lojtarë më të mëdhenj në lojë sesa vetë Serbia.

Një intervenim ushtarak i Serbisë dhe marrje e asaj pjese të veriut, do të përbënte realizimin e hakmarrjes ruse ndaj SHBA-ve dhe Evropës, duke sfiduar kështu peshën e forcës së NATO-s.

Siç shkruante edhe Albanian Post të dielën mbrëma, nuk është ndonjë sekret që qëllimi final i Rusisë në Ballkan është dobësimi i NATO-së dhe nuk duhet shumë mend për ta kuptuar që Rusia është duke e trimëruar Serbinë me qëllimin e vetëm që të testojë reagimin e NATO-së.

Mënyra si do të reagojë NATO në Kosovë është tregues real i potencialit të vërtetë veprues që sot ka kjo aleancë.

Natyrisht që qëllimi final i Rusisë nuk është Kosova dhe as Ballkani, por ish republikat sovjetike dhe ish vendet komuniste që tani i janë bashkuar NATO-së.

Nëse NATO do tregohej e ngathtë në mbrojtjen e Kosovës, si një territor nën mbrojtjen e NATO-së, pra nëse vërtetohet që aleanca veri-atlantike sot nuk ka kohezion të brendshëm për të vepruar, atëherë po njësoj e ngathtë dhe pa e paveprim do të jetë nesër në republikat baltike apo edhe diku tjetër, ku Rusia ka interesa reale.

Në dritën e zhvillimeve ushtarake në 48 orët e fundit, kërcënimi nga Serbia – i deklaruar nga titullarët më të lartë të shtetit, që nëse KFOR dështon në sigurimin e paqes, Serbia do të detyrohet të ndërhyjë ushtarakisht – duket se është trajtuar me seriozitetin më të madh.

Lëvizja agresive e trupave serbe, përfshirja personale e të dërguarit të Putinit, ngathtësia e aleatëve perëndimorë, tregonin që ky kërcënim mund të mos ishte vetëm një lojë fjalësh.

Njohës të mirë të zhvillimeve brenda institucioneve në Beograd janë shprehur privatisht që skenari i okupimit të veriut nga Serbia, në stilin e ndërhyrjes ruse në Krime, ishte një skenar që tashmë nuk duhet hedhur poshtë.

Me reagimin e vet, tërësisht jo proporcional me zhvillimet reale në terren, Serbia e dekonspiroi veten dhe qëllimin e saj të vërtetë, përballë Kosovës dhe përballë perëndimit.

Premtimi serb, i deklaruar privatisht, se Serbia një ditë do të pajtohet me realitetin e ri, po del të jetë vetëm manovër për blerje kohe.

Diplomatët perëndimorë, por edhe disa politikanë shqiptarë, që kërkonin fajtorin te ambicia e madhe e Kurtit, duket ta kenë kuptuar që Kurti në veri nuk ka dërguar tanke e ushtri dhe as nuk ka sulmuar civilë apo këdo tjetër.

Nëse supozimi rus për një ngathtësi dhe ndryshkje të aleancës del të jetë i vërtetë, atëherë pasojat e mosveprimit të Perëndimit do të ndiheshin më thellë e më dhimbshëm se kudo tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore