Lajme

Jashari përkujton dëshmorët e rënë në lagjet e Skenderajt


Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari

Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka përkujtuar martirët e lagjeve të këtij qyteti të rënë më 20 mars të vitit 1999.

“Atë kohë pas tërheqjes së vëzhguesve ndërkombëtarë të misionit të OSBE-së, kriminelet serb të veshur me rroba të bardha e maska të zeza kishin filluar në Skenderaj plaçkitjet e maltretimet e qytetarëve duke i ndarë me pas edhe burrat nga gratë, të cilët i kishin dërguar te pishat dhe atje i kishin ekzekutuar”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Ai ka treguar se disa prej tyre i kishin vrarë në shtëpi, e disa tjerë i kishin arrestuar.

“Rënia e tyre në altarin e Lirisë është dëshmi e gjenocidit që ka bërë shteti serb në Kosovë”.

Për këtë ngjarje ka shkruar në Facebook edhe ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agder, Abit Hoxha, i cili atëkohë jetonte në Skenderaj.

“Në këtë ditë, para 23 vjetësh, paramilitarët serb sulmuan shtëpitë tona në Skenderaj dhe vranë burrat nëpër shtëpi”, ka shkruar Hoxha.

“Ne tjerëve na ndoqën nga shtëpitë tona duke na thënë të shkojmë në Shqipëri”.

Sipas Hoxhës, kjo ngjarje shënjon fillimin e operacionit ‘Patkoi’ ku rreth një milion shqiptarë u detyruan të lëshojnë shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore