Lajme

Jasharaj, Nagavcit: Ofendove mësimdhënësit për të hyrë në qejf të Kurtit dhe Muratit


Arbërie Nagavci dhe Rrahman Jasharaj

Ndonëse greva e përgjithshme e thirrur në arsim dhe administratë u pezullua kritikat, akuzat, fyerjet ndërmjet eksponentëve të ndryshëm nga dy taborët, sindikatë – ekzekutivë, po vazhdon me avazin e vjetër.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, përmes një komunikate për media ka bërë një reagim të gjatë ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, duke thënë se kjo e fundit ka duartrokitur të gjithë ata që kanë fyer e sharë mësimdhënësit.

Për Jasharajn, Nagavci ka inat dhe mllef të paarsyeshëm ndaj tij dhe se ajo ka dhënë deklarata shantazhuese e kërcënuese në drejtim të Sindikatës e punëtorëve të arsimit në kohën kur këta të fundit ishin në grevë.

“Ajo nuk u ndie keq as kur Qeveria ua dha pagat shërbyesve civilë. Në vend të kësaj ajo i duartrokiti Hekuran Muratit dhe ndëshkimit që po u bëhej punëtorëve të sektorit në të cilin ajo ishte ministre. Zonja Nagavci për t’i hyrë në qejf shefit dhe Hekuranit shkoi edhe me tutje duke nxjerr urdhër se, pos dënimit me paga mësuesit, duhet edhe të zëvendësojnë edhe orët e humbura”, ka shkruar Jasharaj

“Nagavci, e cila tërë kohën e grevës dha urdhra dhe nuk la fjalë të keqe pa thënë për grevistët sa për t’ia bërë qejfin Hekuranit dhe shefit të madh”.

Sipas Jasharajt, Nagavci gjatë tërë kohës kur mësimdhënësit ishin në grevë ka punuar për t’i përçarë punëtorët e arsimit, por pa rezultat.

“Kënaqu e duartrokit kur fyhet e shahet mësuesi, por mos u shtir si heroinë se kot e ke. Punëtorët e arsimit janë bashkë dhe uniteti i tyre është i pathyeshëm. E ti pyet vetën a ishte bile një ditë ministre e tyre apo i le gjatë ditëve, javëve e muajve në baltë se zë e mbrojtëse e tyre nuk ishe që kur u bëre ministre e që tani”, ka shtuar ai.

Pas një maratone interpretimesh të ligjeve e akuzave të ndërsjella, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ekzekutojë pagat për mësimdhënësit grevistë, të premtën e 7 tetorit.

Lajmin për ekzekutimin e pagave e kishte bërë të ditur për Albanian Post, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Po, janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit grevistë”, tha Ibrahimi për AP.

Lajmin për ekzekutimin e pagave e kishte dhënë për Albanian Post edhe Ymer Ymeri, koordinatori për organizim të brendshëm në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës dhe njëherit nënkryetar i kësaj sindikate.

Për Ymerin ekzekutimi i pagave është një lajm i mirë dhe një gjë e tillë bënë që ata të shpresojnë se në ditët në vijim do të mund të diskutojnë të gjitha çështjet e ngritura nga ana e tyre me eksponentë të qeverisë.

Kërkesa e Ministrisë së Arsimit për të kompensuar orët e humbura si shkak i grevës, sipas Ymerit ishte një çështje e cila mund të diskutohet gjithmonë në kuadër të dialogut Sindikatë-Ekzekutiv.

“Do të bisedojmë për atë çështje, nëse Ministria e Arsimit është e interesuar për dialog ne jemi për të biseduar, primare për ne ishte ekzekutimi i pagave, pastaj për kompensimin e orëve do të bisedojmë ashtu siç shkruan në kontratën kolektive”, kishte shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore