Lajme

Jasharaj, Nagavcit: Jeni duke mbajtur inati, s’po lëni hapësirë për zgjidhje


Arbërie Nagavci dhe Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, konsideron se inati i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci nuk po lejon që të gjendet një zgjidhje për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ai ka theksuar se edhe këtë të shtunë nuk do të ketë mësim.

“Nagavci, edhe nëse dëshiron ta vazhdojë inatin dhe luftën ndaj SBASHK-ut do të ishte mirë që së paku me Këshillin e Prindërve të ulët dhe të bisedojë. E kisha lut Nagavcin që t’i lejë inatet e tekat, greva më në fund u pezullua, ne jemi në proces mësimor dhe është e udhës në përgjithësi për ta stabilizuar në përgjithësi këtë sistem mësimor”, ka thënë Jasharaj për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Shkolla “Faik Konica”.

Sipas tij, ministrja është duke gabuar me qëndrimin e saj ndaj SBASHK-ut.

“Unë jam i bindur nga përvoja si mësimdhënës se po t’ua lenim mësimdhënësve në pavarësinë e tyre dhe t’i lusim që ata ta bëjnë të pamundurën që të realizojnë sa më shumë planprogramin e këtij viti arsimor, do të kishim suksese shumë më të mëdha, se sa me urdhra, me inspektorë, me kërcënime për heqje të mëditjeve, sepse kjo vetëm i irriton mësimdhënësit dhe nuk i duhet as qeverisë, MASHT-it një situatë si e shtunës së kaluar”.

“Nagavci është duke gabuar me qëndrimin e saj, është duke vazhduar një luftë në mënyrë figurative ndaj SBASHK-ut. Asnjë vlerë nuk ka edhe po shkuan këtë të shtunë të gjithë punëtorët e arsimit, nëse nuk vijnë nxënësit, e shtuna do të shkojë kot dhe nuk do të kemi proces mësimor”, ka thënë ai.

Ndërkaq për mësimdhënësit të cilët kanë mbajtur mësimin të shtunën e kaluar, ai thotë se mund të jenë frikësuar nga kërcënimet e qeverisë për heqje të mëditjes.

“Mund të jetë krijuar ndonjë frikë eventuale edhe për heqje mëditje sepse kjo ishte kërcenim, inspektorët kanë shkuar dhe kanë bërë lista, dhe në këtë mënyrë nuk arrihet asnjë rezultat. SBAShK-u nuk ndikon në qëndrimet e mësimdhënësve. E shtuna na doli si problem, nuk mund ta kuptoj Nagavcin se pse gjithë ky mllef ndaj SBASHK-ut”, është shprehur ai.

Ndyrshe, Këshilli i Prindërve të Kosovës, sërish përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, kanë pohuar se fëmijët e tyre nuk do të mbajnë mësim të shtunën, “JO mësimit të shtunave, JO mësimit me zor!”, është thënë nga ky Këshill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore