Lajme

Jarinje: Sulmohen doganierët me armë zjarri


Doganierët e vendosur në pikën kufitare në jarinjë janë sulmuar të dielën pasdite.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se “një predhë e fishekut të armës së zjarrit ka goditur një kontejnerë i cili shërben për zyrtarët kufitar të policisë kufitare dhe doganierëve të RKS”.

Sipas Policisë, “bazuar në informacionet e para, predha dyshohet se ka ardhur nga drejtimi i fshatit Tusnica i Serbisë”.

“Nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë, por hetimet lidhur me rastin kanë filluar.

Ndër të tjera Policia e Kosovës ka njoftuar se “puna dhe qarkullimi në këtë pikë kalim kufitar të përbashkët e cila gjendet në territorin e Serbisë, sipas marrëveshjes për menagjim të integruar të kufirit po vazhdon pa problem”.

Një ditë më parë, trupat e KFOR-it janë larguar nga pika kufitare në Jarinje. Kjo pasi që ka përfunduar koha e tyre për të ofruar siguri, sipas marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel më 30 shtator, pas tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë për çështje të reciprocitetit me targat.

Ata kanë zënë vendet ku Njësia Speciale e Kosovës ka qëndruar qysh nga 20 shtatori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore