Lajme

Japonia dhe SHBA-të ranë dakord për bashkëpunim në fushën e energjisë gjeotermale


Japonia dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të bashkëpunojnë në zhvillimin e energjisë gjeotermale, në margjinat e takimit të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) për klimën në qytetin e Sapporo-s.

Memorandumi u nënshkrua nga Sekretarja Amerikane e Energjisë Jennifer Granholm dhe ministri japonez i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Yasutoshi Nishimura.

Në dokument thuhet se energjia gjeotermale njihet si një “teknologji e energjisë së rinovueshme” për të cilën të dy vendet mund të punojnë dhe përmirësojnë së bashku.

Japonia është shumë e pasur me energji gjeotermale, e cila reflektohet në burime të shumta termale, por rreth tyre janë ndërtuar llixha dhe resorte, gjë që e bën të vështirë përdorimin e tyre për prodhimin e energjisë elektrike.

Memorandumi gjithashtu kërkon bashkëpunim në kërkimin, zhvillimin, shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e projekteve gjeotermale në SHBA, Japoni dhe vende të tjera.

Është një nga një sërë fushash ku të dy vendet synojnë të bashkëpunojnë për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe emetimin e gazrave që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Përdorimi më i madh i energjisë gjeotermale mund t’i mundësojë Japonisë të sigurojë 90 për qind të energjisë së saj nga burime të rinovueshme, vlerëson Laboratori Kombëtar Lawrence Berkeley.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore