Pajisje

Japoni/ Ministri i Sigurisë Ekonomike paralajmëron për mbijetesën e industrisë së çipave


Në Japoni, industria gjysmëpërçuese është e dënuar të jetë e pavlerë nëse qeveria nuk përputhet me vizionet strategjike afatgjata të parashtruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinë.

Kështu ka paralajmëruar ministri i sapozgjedhur i vendit për sigurinë ekonomike, Takayuki Kobayashi.

Ai ka treguar për të përditshmen “Financial Times” se historikisht, Japonia kishte dështuar në identifikimin e teknologjive thelbësore që ekonomia industriale e vendit me bazë të gjerë duhet t’i mbrojë dhe promovojë.

Kjo, për të siguruar që ajo të mbetet “e domosdoshme” për botën më të gjerë.

“Pyetja është se si mund të krijojmë zona ku shkëlqejmë, në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të mos mbijetojë pa Japoninë”, ka thënë Kobayashi në intervistën e tij të parë për mediat ndërkombëtare.

Këto komente të tij, të cilat krijojnë një dilemë në rritje për Japoninë në një botë të rritjes së nacionalizmit teknologjik, janë bërë vetëm dy javë pasi kryeministri i ri i Japonisë, Fumio Kishida, krijoi rolin e ministrit të Sigurisë Ekonomike.

Sipas “Financial Times”, drejtuesit e biznesit e kanë përshkruar vendimin si dëshmi të një ndjenje në rritje të krizës brenda niveleve të larta të qeverisë.

Ndjenjë që ka lidhje me cenueshmërinë e korporatës japoneze ndaj një sërë kërcënimesh që gjykatësit kërkojnë koordinim shtetëror për ta adresuar.

46-vjeçari Kobayashi, i diplomuar në Harvard Kennedy School, i është dhënë një mandat i rrallë dhe i fuqishëm për të ndërhyrë në çështjet e sigurisë ekonomike.

Ndërhyrja e tij nis që nga çipat gjysmëpërçues dhe mbërrin te siguria kibernetike, një detyrë që ndërlidhet me tregtinë, financat dhe komunikimet e ministrive.

Ministri i ri ka treguar se mandati i tij mund të shtrihet për të pasur ndikim mbi vendimet e qeverisë në lidhje me Aktin e Tregtisë së Jashtme, i cili u rishikua në vitin 2019 për të forcuar rregulloret mbi investimet e huaja në kompanitë japoneze.

Rishikimi bëri që bizneset e listuara të renditen në tre nivele të ndjeshmërisë të lidhura me sigurinë kombëtare, duke bërë që disa investitorë të huaj të dalin në konkluzionin se ndryshimet ishin bërë pjesërisht për të dekurajuar fondet e aktivistëve.

Ndërkaq, ardhja e këtij posti të ri vjen pasi qeveria ka bindur Kompaninë Prodhuese Gjysmëpërçuese të Tajvanit, prodhuesi më i madh në botë i çipave, të ndërtojë një fabrikë të re në Japoni.

“Ky është vetëm hapi i parë. Nuk do të kishte ringjallje për industrinë gjysmëpërçuese të Japonisë nëse ndalemi këtu”, ka dalluar Kobayashi.

Për të, qeveria duhet të demonstrojë shpejt “një angazhim konkret” se si dëshironte ta poziciononte vendin në 10 vjet, përveç subvencioneve dhe mbështetjes shtetërore për të konkurruar me ekonomitë e tjera të mëdha.

“Vetëm atëherë, kompanitë japoneze të lidhura me industrinë e gjysmëpërçuesve do të ndiheshin të motivuara për të punuar së bashku si pjesë e një përpjekjeje kombëtare”, ka shtuar Kobayashi.

Në fund të viteve 1980, tregon “Financial Times”, industria e çipave të Japonisë tejkaloi atë të SHBA-ve për t’u bërë më e madhja në botë.

Prej asaj kohe, ajo ka pësuar një rënie të pamëshirshme, megjithëse vendi ende luan një rol kryesor në pajisjet dhe materialet gjysmëpërçuese.

Duke iu bërë jehonë iniciativave të administratës Biden në SHBA, pjesë e strategjisë së re të rritjes së Japonisë fokusohet në ndërtimin e një zinxhiri furnizimi me gjysmëpërçues që është i vetë-mjaftueshëm për të mbijetuar nga përçarjet.

Dhe meqë nuk mund të furnizojë të gjitha teknologjitë më vete, Kishida ka deklaruar se është kritike për vendet liberale, demokratike të punojnë së bashku për të mbajtur zinxhirin e furnizimit në duar miqësore.

Nga ana tjetër, Kobayashi ka mohuar se masat e sigurisë ekonomike të Japonisë ishin drejtuar posaçërisht ndaj Kinës.

Ai ka zbuluar se qeveria nuk kishte ndërmend të ndërhynte në lidhjet e thella të biznesit të sektorit privat me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

“Por kompanitë padyshim duhet të ndërmarrin veprimet e duhura në dritën e dallimeve në kuadrin ligjor, rregullimet dhe praktikat”, ka shtuar ministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore